Mbrëmjen e sotme, Qeveria e Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar disa vendime.
Vendimet janë si vijon:
Miratuar Programin e Projektligjeve të Qeverisë për vitet 2026 – 2028.
Miratuar Projektligjin për Regjistrimin e Bujqësisë. Ky projektligj rregullon organizimin dhe zbatimin e Regjistrimit të Bujqësisë në territorin e Republikës së Kosovës, duke përcaktuar autoritetin kompetent, organet dhe strukturat e përfshira, procedurat dhe metodologjinë për mbledhjen, përpunimin, ruajtjen, mbrojtjen dhe publikimin e të dhënave statistikore.
Miratuar vendimin për themelimin e Komisionit Qendror për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara në të mirat materiale nga ndikimi i fatkeqësive natyrore dhe fatkeqësive tjera, në Agjencinë e Menaxhimit Emergjent.
Miratuar vendimin për themelimin e Komisionit për përzgjedhjen e tre kandidatëve për anëtarë të jashtëm të Bordit të Pavarur për Masat e Përkohshme për Produktet Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit të Tregut.
Miratuar Koncept-dokumentin për Fushën e Akreditimit. Dokumenti kontribuon në zhvillimin e infrastrukturës së cilësisë (standardizim, metrologji, akreditim dhe vlerësim të konformitetit), e cila paraqet një element kyç për funksionimin e tregut të brendshëm, rritjen e besueshmërisë së produkteve dhe lehtësimin e qasjes në tregjet ndërkombëtare. Po ashtu, dokumenti është në linjë me obligimet që rrjedhin nga procesi i integrimit evropian, përkatësisht përafrimin me acquis të Bashkimit Evropian në fushën e akreditimit, në kuadër të kapitullit për lëvizjen e lirë të mallrave.
