Shkruan: Ibish Neziri
Më 16 shtator 2026, Dhomat e Specializuara në Hagë do të shpallin aktgjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të cilët, që nga 4 dhe 5 nëntori 2020, kanë kaluar pothuajse gjashtë vjet në paraburgim pa një aktgjykim të shkallës së parë. Gjykata e ka caktuar shqiptimin e vendimit për orën 10:00, pas një procesi shumëvjeçar, me një numër të madh dëshmitarësh dhe mijëra materiale të paraqitura si prova, por me vlerë provuese të diskutueshme, proces që tashmë ka hyrë në historinë e drejtësisë ndërkombëtare jo vetëm për përmasat e tij, por edhe për polemikat që e kanë shoqëruar.
Por më 16 shtator nuk do të jenë vetëm katër të akuzuarit përballë gjykimit. Në një kuptim shumë më të gjerë, në bankën e provës do të jetë edhe vetë institucioni që i ka mbajtur ata pothuajse gjashtë vjet në paraburgim, së bashku me historinë e krijimit të tij, mënyrën se si ka administruar procesin, raportin e tij me standardet që pretendon se përfaqëson dhe, mbi të gjitha, me pyetjen nëse drejtësia që do të shpallë është në gjendje ta përballojë peshën e politikës që e solli këtë Gjykatë në jetë.
Prandaj, 16 shtatori nuk është vetëm dita e aktgjykimit ndaj katër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por edhe dita kur do të fillojë, në një kuptim historik dhe politik, gjykimi i vetë Gjykatës.
Në emër të popullit të Kosovës, por me çfarë legjitimiteti?
Na është përsëritur vazhdimisht se Dhomat e Specializuara janë gjykatë e Kosovës dhe, në kuptimin formal juridik, kjo është e saktë, sepse ato u krijuan përmes ndryshimit të Kushtetutës dhe ligjit të miratuar nga Kuvendi i Kosovës. Por sapo largohemi nga kjo formë juridike dhe shohim realitetin institucional, lidhja me Kosovën bëhet pothuajse e padukshme: Gjykata ndodhet në Hagë, gjyqtarët janë ndërkombëtarë, prokurorët janë ndërkombëtarë dhe pjesa vendimtare e personelit po ashtu, financimi dhe mbështetja politike vijnë kryesisht nga Bashkimi Evropian dhe shtetet kontribuuese, ndërsa edhe në paraqitjen e saj institucionale mungojnë shenjat që zakonisht identifikojnë një gjykatë të Republikës së Kosovës. Në sallën ku gjykohen ish-drejtuesit e UÇK-së, ajo që shihet më qartë nga Kosova janë vetë të akuzuarit.
Prandaj, ta quash thjesht “gjykatë të Kosovës” është juridikisht e mundshme, por politikisht e paplotë, sepse kemi të bëjmë me një institucion të Kosovës sipas bazës formale ligjore, ndërsa në strukturën, personelin, selinë, financimin dhe ushtrimin real të pushtetit gjyqësor kemi një mekanizëm të ndërkombëtarizuar pothuajse tërësisht.
Kosova i dha bazën kushtetuese dhe ligjore, por arkitektura e institucionit u ndërtua në një proces në të cilin faktori ndërkombëtar kishte peshën përcaktuese, dhe pikërisht kjo na çon te problemi i legjitimitetit.
Rregullorja e vetë Dhomave të Specializuara përcakton se aktgjykimi i shkallës së parë shpallet publikisht “në emër të popullit të Kosovës”, formulë që Gjykata e ka përdorur edhe në aktgjykimet e mëparshme.
Formalisht, pra, Gjykata e ka këtë kompetencë, por kompetenca që ia jep një normë juridike dhe legjitimiteti politik e moral për të folur në emër të një populli nuk janë e njëjta gjë.
Pikërisht këtu qëndron një nga paradokset më të rënda të kësaj ndërmarrjeje: një gjykatë e krijuar pas një presioni të jashtëzakonshëm ndërkombëtar, e vendosur jashtë territorit të Kosovës, e përbërë nga gjyqtarë ndërkombëtarë dhe e mbështetur financiarisht nga jashtë, do të marrë përsipër të shqiptojë vendimin e saj “në emër të popullit të Kosovës”, ndërkohë që mosbesimi ndaj mënyrës se si është krijuar dhe ka vepruar kjo Gjykatë është shprehur vazhdimisht, publikisht dhe në mënyrë masive, deri te marshimet me dhjetëra mijëra qytetarë dhe, sipas vlerësimit të organizatorëve, rreth 100 mijë pjesëmarrës vetëm më 12 shtator 2026.
Ky zë nuk është dëgjuar vetëm sot, më 12 shtator. Mijëra qytetarë marshuan në Prishtinë në prill të vitit 2023, ndërsa në vitet që pasuan protesta kundër mënyrës së funksionimit të Gjykatës dhe në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së u organizuan edhe në Hagë, Strasburg, Tiranë e Shkup. Më 17 shkurt 2026, mijëra qytetarë dolën përsëri në Prishtinë nën moton “Liria ka emër, drejtësi jo politikë”, ndërsa sot, vetëm katër ditë para aktgjykimit, “Marshi për Liri”, nën moton “Kosova po pret”, ka sjellë sërish në rrugët e kryeqytetit një pjesëmarrje masive, duke dëshmuar se mosbesimi ndaj kësaj Gjykate nuk është as i rastësishëm, as i sotëm dhe as i kufizuar në një grup të vogël njerëzish.
Madje, slogani i vendosur sot në hapësirën e marshit është domethënës pikërisht për këtë debat: “Në emër të popullit, shpallini të pafajshëm.”
Kjo nuk do të thotë se një marshim mund të zëvendësojë një proces penal apo se faji dhe pafajësia vendosen në shesh, por diçka tjetër: kur një gjykatë merr përsipër të flasë “në emër të popullit”, ajo nuk mund të sillet sikur qëndrimi i atij populli ndaj vetë institucionit të mos ekzistonte.
Prandaj, kur më 16 shtator të shqiptohen fjalët “në emër të popullit të Kosovës”, pyetja ime do të jetë e pashmangshme: në emër të cilit popull, të një populli që e kërkoi këtë Gjykatë, apo të popullit të Kosovës që u vu nën presion për ta pranuar? Në rrethanat e krijuara dhe pas gjithë asaj që ky proces ka nxjerrë në pah, çdo vendim tjetër përveç pafajësisë mund të jetë aktgjykim i kësaj Gjykate, por nuk mund të pretendojë legjitimitet për t’u shqiptuar në emër të popullit të Kosovës.
Specialja nuk erdhi në një shkretëtirë juridike
Po aq problematik është edhe krijimi i përshtypjes sikur para Dhomave të Specializuara krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së të mos ishin trajtuar nga drejtësia ndërkombëtare. Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë kishte juridiksion mbi krimet e kryera gjatë konfliktit në Kosovë dhe ka hetuar, akuzuar e gjykuar edhe pjesëtarë e drejtues të UÇK-së; dikush është dënuar, ndërsa të tjerë janë liruar.
Kjo natyrisht nuk nënkupton se Tribunali kishte gjykuar çdo vepër penale të mundshme dhe çdo person që mund të mbante përgjegjësi, por rrëzon pretendimin se ekzistonte një boshllëk absolut juridik që duhej plotësuar patjetër me një gjykatë krejt të re. Madje edhe teoria e “ndërmarrjes së përbashkët kriminale”, mbi të cilën Prokuroria e Specializuar mbështet një pjesë themelore të teorisë së përgjegjësisë së katër të akuzuarve, nuk është risi: ajo ishte përdorur edhe nga Tribunali për ish-Jugosllavinë në proceset ndaj pjesëtarëve dhe drejtuesve të UÇK-së, pa arritur në raste të rëndësishme të provohej lidhja e pretenduar kriminale.
Problemi, pra, nuk është ekzistenca juridike e këtij koncepti, por mënyra se si ai përdoret sot. Prokuroria pretendon se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi ishin pjesë e një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale me synim marrjen dhe ushtrimin e kontrollit mbi të gjithë Kosovën përmes goditjes së kundërshtarëve të perceptuar. Një pretendim kaq i gjerë nuk mund të provohet me funksione, prani në mbledhje, deklarata politike apo me pretendimin se krime janë kryer nga individë të UÇK-së; ai kërkon prova konkrete se secili prej të akuzuarve ka ndarë dhe ka vepruar për realizimin e atij qëllimi kriminal. Pikërisht këtë lidhje, sipas vlerësimit tim, Prokuroria nuk arriti ta provojë bindshëm.
Pikërisht për këtë mbetet e hapur pyetja se përse, shumë vite më vonë, u desh një mekanizëm tjetër i jashtëzakonshëm, jashtë Kosovës, me mandat të posaçëm dhe me arkitekturë krejt të veçantë, i lidhur që në gjenezën e tij me pretendimet e Raportit Marty, një raport që ishte ushqyer në masë të konsiderueshme edhe me materiale të ardhura nga strukturat shtetërore serbe dhe nga njerëz si Vladimir Vukçeviq, Bruno Vekariq e Milan St. Protiq.
Kjo është pyetje për selektivitetin e drejtësisë ndërkombëtare, por edhe për diçka edhe më elementare: a janë provuar vërtet krimet që pretendohet se kanë ndodhur dhe, nëse po, kush mban përgjegjësi konkrete për to?
Akuza që tronditi botën dhe i hapi rrugën Gjykatës ishte ajo për trafikimin e organeve. Pikërisht ky pretendim, më i rëndi dhe më tronditësi në Raportin Marty, prodhoi tituj botërorë dhe e lidhi Kosovën dhe UÇK-në me një prej akuzave më monstruoze që mund t’i bëhen një organizate çlirimtare: rrëmbimin dhe transportimin e njerëzve në Shqipëri dhe pretendimin se disa prej tyre ishin vrarë për t’ua hequr organet.
Unë këtë akuzë e kam kundërshtuar publikisht që në dhjetor të vitit 2010, kur Dhomat e Specializuara nuk ekzistonin dhe kur askush prej katër të akuzuarve të sotëm nuk kishte kaluar asnjë ditë në paraburgimin e Hagës. Më 18 dhjetor 2010, shtypi zviceran botoi intervistën time me titullin «Er hat nicht mit Organen gehandelt», ku ndër të tjera ngrija edhe çështjen e kushteve reale teknike dhe infrastrukturore në Shqipërinë e asaj kohe.
Një operacion i organizuar i trafikimit të organeve nuk është një krim që mund të kryhet vetëm me armë dhe automjete; ai kërkon mjekë, anesteziologë, pajisje kirurgjikale, sterilitet, analiza, ruajtje të organit, transport të shpejtë, përputhje biologjike me marrësin dhe një zinxhir njerëzish që domosdoshmërisht duhet të lërë gjurmë, ndërsa Shqipëria e asaj periudhe përballej njëkohësisht me probleme të rënda infrastrukturore dhe energjetike.
Pas hetimit ndërkombëtar, kryeprokurori Clint Williamson deklaroi në vitin 2014 se kishte indikacione për një numër shumë të kufizuar rastesh, por se nuk ishte arritur niveli i provave që kërkohej për ngritjen e një aktakuze për trafikim organesh.
Sot, pesëmbëdhjetë vjet më vonë, kjo akuzë nuk ekziston në aktakuzën operative kundër Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit; ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ndërsa Prokuroria përgjegjësinë e tyre e mbështet edhe mbi pretendimin se kanë qenë pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”, por nuk akuzohen për trafikim organesh.
Këtu qëndron paradoksi të cilin nuk mund ta mbulojë asnjë argument procedural:
Akuza që ndihmoi të krijohej Gjykata u zhduk nga aktakuza. Gjykata mbeti.
Pothuajse gjashtë vjet paraburgim – dhe provat që nuk bindën
Në nëntor të vitit 2020, katër të akuzuarit u transferuan në objektin e paraburgimit në Hagë dhe, kur të dëgjojnë aktgjykimin më 16 shtator 2026, do të kenë kaluar aty pothuajse pesë vjet e dhjetë muaj. Vetëm periudha paragjyqësore zgjati 28 muaj e 30 ditë, ndërsa Gjykata ka nxjerrë dhjetëra vendime për vazhdimin e paraburgimit.
Një çështje mund të jetë jashtëzakonisht komplekse dhe mund të ketë mijëra materiale të paraqitura si prova, qindra dëshmitarë dhe dhjetëra mijëra faqe transkriptesh, por kompleksiteti nuk mund të kthehet në çek të bardhë për kufizimin shumëvjeçar të lirisë para se të ekzistojë një vendim i shkallës së parë.
Pothuajse gjashtë vjet nga jeta e njeriut nuk janë një shënim procedural.




