Kryeministri Albin Kurti nuk foli në mbledhjen e sotme të Qeverisë për skandalin e djeshëm në Bruksel, ku në një koncert gjatë mbrëmjes hapëse të Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Europian, u interpretua melodia e një kënge serbe që e paraqet Kosovën si pjesë të Serbisë.
Kurti sot nuk foli për këtë gjë, që shkaktoi polemika dhe bëri që komisionarja europiane për Zgjerim, Marta Kos, të shprehte keqardhje për përzgjedhjen e saj.
Kurti, në vend të kësaj, zgjodhi që në mbledhjen e Qeverisë të fliste për vizitën e tij në Francë e Irlandë, vizita në të cilat tha se “theksuam përkushtimin ndaj të ardhmes tonë euroatlantike”.
Në koncertin e titulluar “Meloditë e unitetit: Harmoni nga udhëkryqi i Evropës”, krahas pjesëve muzikore nga vendet e përfshira në procesin e zgjerimit, u interpretua edhe melodia e këngës serbe “Oj Kosovo, Kosovo”, teksti i së cilës përmban pretendime territoriale ndaj Kosovës dhe kundërshton heqjen dorë prej saj.
Prej përfaqësuesve të Kosovës, reaguan kryeparlamentarja Albulena Haxhiu, kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Europian, Jeton Zulfaj dhe ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami.
Bajrami e cilësoi si të papranueshme përfshirjen e kësaj kënge në një aktivitet kushtuar zgjerimit europian dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe kërkoi nga Komisioni Europian dhe komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, të sqaronte se kush e kishte përzgjedhur dhe miratuar repertorin muzikor.