Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka vlerësuar përparimin e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian, duke e cilësuar progresin e vendit si domethënës në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Shqipëria ka bërë progres domethënës”, deklaroi von der Leyen gjatë fjalës së saj në Forumin e Dytë të Zgjerimit të BE-së, që po mbahet në Bruksel me temën “Evropë më e gjerë – Evropë më e fortë”.
Ajo theksoi se vendet e Ballkanit Perëndimor ndodhen në një moment të rëndësishëm dhe se kjo mundësi duhet të shfrytëzohet për të përshpejtuar afrimin e tyre me Bashkimin Evropian.
Sipas von der Leyen, rajoni ka potencial të madh ekonomik, ndërsa integrimi do të sillte përfitime si për vendet kandidate, ashtu edhe për vetë Unionin.
Duke folur për rëndësinë e zgjerimit, ajo rikujtoi se anëtarësimi i vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore në vitin 2004 ishte një prej proceseve më transformuese në historinë e BE-së.
Si shembull të përfitimeve ekonomike, ajo përmendi Poloninë, ekonomia e së cilës sot është tri herë më e madhe se ajo e Bjellorusisë, ndonëse tri dekada më parë të dyja vendet kishin nivele të përafërta zhvillimi.

