Në emisionin “Info Magazine” të Klan Kosovës është diskutuar për pjesëmarrjen e Kosovës dhe të vendeve të Ballkanit në samitin e Bashkimit Evropian, që mbahet më 25 nëntor.
I ftuari në emision, historiani Sylë Ukshini, ka shprehur kritikat e tij ndaj Bashkimit Evropian, duke thënë se i njeh mënyrat se si vepron ky institucion dhe duke e akuzuar atë për ushtrim të trysnisë ndaj Gjykatës Speciale.
Ukshini ka kritikuar atë që e konsideron si qëndrim kontradiktor të BE-së në raport me Gjykatën Speciale, duke rikujtuar se dikur Bashkimi Evropian ushtronte presion te deputetët e Kuvendit të Kosovës për miratimin e ligjit për themelimin e saj, ndërsa tani, sipas tij, po kërkon që Gjykata të mos merret me çështje të caktuara ligjore.
“BE-ja tërë kohën bërtet ‘kapeni hajnin’. Hajni në këtë rast është Bashkimi Evropian, sepse Bashkimi Evropian po bën trysni mbi Gjykatën Speciale dhe tash thotë 'mos u merrni me ligjin'. Po, kur i interesonte Bashkimit Evropian që të merrte aprovimin për Gjykatën, ishte pikërisht ai që u bënte trysni deputetëve 'bëjeni ligjin’, ndërsa tash thotë 'mos u merrni me të'”, ka deklaruar Ukshini në Klan Kosova.




