Kancelari gjerman, Friedrich Merz, e cilësoi një sukses arrestimin e një shtetasi ukrainas në lindje të Gjermanisë, i cili dyshohej për spiunazh në favor të Rusisë.
Shefi i ekzekutivit gjerman paralajmëroi se vendi mund të përballet me raste të ngjashme gjithnjë e më shpesh në muajt dhe vitet e ardhshme.
“Gjermania po përballet me veprimtari intensive spiunazhi. Në këtë aspekt, është sukses që arritëm ta zbulojmë këtë rast. Por, nuk duhet të mashtrohemi: aktiviteti i inteligjencës ruse në Gjermani vazhdon të jetë në nivel mjaft të lartë”, tha Merz.
I dyshuari u prangos në landin e Brandenburgut, që rrethon kryeqytetin Berlin. Sipas Prokurorisë së Përgjithshme Federale të Gjermanisë, ai dyshohet se ka shfrytëzuar kontaktet e tij në industrinë europiane të mbrojtjes për të siguruar informacione me rëndësi ushtarake.
