27 vjet më parë në Rezallë të Skenderajt dhe në fshatrat përreth u zbatua plani i shfarosjes nga regjimi i Serbisë. Atë ditë, më 5 prill të vitit 1999, djem e burra nga mosha të ndryshme, 13 vjeç deri në moshën 90 vjeç, u ndanë nga familjet e tyre, u plaçkitën, u nxorën dhunshëm nga shtëpitë e tyre dhe më pas u vranë. As kjo nuk i mjaftoi regjimit të Serbisë, disa trupa i rrëmbyen dhe për ta hapën varre në Rashkë të Serbisë. Nga masakra e Rezallës, kujtimet e luftës vazhdojnë të jetojnë thellë në zemrat e familjeve që përjetuan humbje të familjarëve. Kjo ngjarje në luftën e fundit, mbetet një plagë e hapur, një kujtim i dhimbshëm që nuk zbehet kurrë.
Kështu e kujton atë kohë të rëndë Emine Hajdari, e cila me lot në sy tregon për humbjet e mëdha që familja e saj ka përjetuar. Dhimbja e saj është e thellë dhe e pashuar.
“Prej familjes tonë, babën ma kanë vra. Një vend jena kanë, na kanë nda, ma kanë hjekë prej dore. Edhe vllaun na kanë vra në Palac, e dy djemtë e axhallarëve, edhe ata i kanë vra. Njanin e kanë vra në Palac me vllaun tem, njanin e kanë vra këtu në Rezallë… a beson se vllaun e kemi varrosë mbas 7 vjete, e kemi gjetë. Babën mbas 17 vjete. 17 vjet s’kemi ditë ku është. Mbas 17 vjete tani e kemi gjetë, e kemi varrosë këtu në Rezallë. Ama sot është për neve çdo ditë si sot njëjtë, se e kujtojmë hjekën, e kujtojmë atë çka ka ndodhë, e kujtojmë kur na e kanë marrë babën prej dore, e kam pas një çikë të vogël e ajo ka bërtitë … o e vranë babën, për babën tim. Ata thanë “jo i qitem me flejt”.E sot për neve është mërzia e njëjtë, si sot çdo ditë njëjtë”, u shpreh me vaj në buzë Hajdari.
Edhe sot, pas kaq shumë vitesh, dhimbja mbetet njësoj, si ditën kur ndodhi tragjedia thotë Milazim Rukolli teksa kujton me trishtim ditën kur humbi familjarët e tij, duke rrëfyer për tmerrin që përjetuan. Humbja e të dashurve dhe mungesa e tyre vazhdon të ndjehet në çdo familje.
“Ky këtu para, këtu vllaun e kam, vllaun e dytë mbas meje. Ky u vra në mes të 13 të lagjes Rrukulli, 13 vetë na i kanë vra atë ditë më 5 prill… Veç na ka nda edhe na ka qu anej nga mali edhe u dëgjojshin krismat “grrr” … i kanë vra tanë qaty. Çka ka më keq, lajm më i keq ku ka me shku…Çka me bë, kjo ka ndodhë, lufta u kanë. Po më e keqja që tash shteti që po këqyr me i humb gjakun e dëshmorëve. Le Serbia që s’na do, po shteti jonë qysh po kqyrin me e humb gjakun e dëshmorëve. Ne lirinë e kemi prej këtyre, e tash shteti po kqyr me e humb gjakun e tyre. Turp e marre për shtet. Kjo është katastrofë”, tregoi Rukolli.
Ai rrëfen se 13 anëtarë të familjes së tij u vranë në atë ditë të rëndë, shumica në moshë të re, duke lënë pas një boshllëk të madh në familje dhe në zemrat e tyre.
