Belgjika po shqyrton mundësinë për të transferuar të dënuarit e saj në një burg të ndërtuar në Kosovë.
Diskutimi për marrëveshje të tilla bilaterale të ngjashme me atë që Kosova tashmë ka nënshkruar me Danimarkën, po ngjall shqetësime në mesin e organizatave që mbikëqyrin sundimin e ligjit.
Ehat Miftaraj, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), thekson se një marrëveshje e tillë do ta zvogëlonte Kosovën në një zonë funksionale për interesa të huaja penale, duke kompromentuar sistemin ligjor dhe etik të vendit.
Miftaraj paralajmëron se pas këtyre iniciativave qëndron një logjikë financiare që e redukton sistemin korrektues në një projekt ekonomik për të përfituar nga vendet e BE-së me burgje të mbingarkuara.
“Instituti i Kosovës për Drejtësi në kuadër të misionit dhe vizionit të tij ka promovimin e parimeve dhe standardeve të sundimit të ligjit dhe të drejtave dhe lirive të njeriut. Në këtë drejtim, IKD e kundershton çdo iniciative apo politike që transferimin e të burgosurve apo të denuarve të huaj nga shtetet e BE në Kosovë e trajton si çeshtje për përfitime ekonomike nga cilido shtet.”, tha Miftaraj në një prononcim për IndeksOnline.
Duke iu referuar marrëveshjes ekzistuese me Danimarkën, Miftaraj thotë se Kosova nuk duhet të vazhdojë të diskutojë për marrëveshje të ngjashme me shtete të tjera.
“Për më tepër institucionet në Kosovë në asnjë rrethane nuk do duhej që pas Danimarkes të diskutojne me shtete tjera lidhjen e marreveshjeve të tilla. Kosova nuk mund dhe nuk do të duhej në asnjë rrethanë te kthehet në parking apo sinonim i një shteti me persona të denuar nga shtetet e BE.”, theksoi ai.
