Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, ka reaguar lidhur me raportimet për vendimet e Gjykatës Supreme që u njohin të drejtën për dy pensione veteranëve të luftës dhe kategorive të dala nga lufta, duke theksuar se kjo praktikë gjyqësore nuk është e re.
Sipas tij, Gjykata Supreme e ka vendosur këtë praktikë që nga viti 2021, ndërsa IKD ka fituar qindra raste në favor të pensionistëve dhe veteranëve gjatë viteve 2023, 2024 dhe 2025.
“Media të dashtuna nuk është fakt i ri lajmi se Gjykata Supreme ua njeh të drejtën për dy pensione veteranëve të luftës dhe të kategorive të dala nga lufta (p.sh. invalidë, viktima civile, etj.). Vetëm në vitet 2023, 2024 dhe 2025, IKD i ka fituar qindra raste të tilla. Krejt këto raste janë përfaqësuar falas nga juristët e IKD për pensionistët, kategoritë e lartpërmendura dhe veteranët e luftës. Gjykata Supreme këtë praktikë e ka vendos në vitin 2021, pesë vite më herët”, ka shkruar Miftaraj.
Ai ka shtuar se rasti për të cilin po raportohet së fundmi është vetëm një nga mijëra vendimet e ngjashme të gjykatave.
