Muhamedali Zeka, vëllai i Mirjeta Zekës, e cila rezulton e zhdukur prej shtatë vjetësh, ka deklaruar se familja ende nuk ka asnjë informacion për fatin e saj.
Në emisionin FIVE, ai ka treguar se kontaktin e fundit me motrën e kishte më 31 mars 2019, në shtëpinë e saj në Sfaracak të Vushtrrisë.
Sipas tij, Mirjeta kishte planifikuar të udhëtonte drejt Gjermanisë të nesërmen, por që nga ajo ditë familja nuk ka marrë më asnjë lajm për të.
Vëllai i saj ka thënë se bashkëshorti i Mirjetës e kishte njoftuar vetëm pas rreth tre muajsh se ajo ishte larguar nga shtëpia.
“Pas tre muajsh e diçka, ai e ka thirrur vëllain dhe i ka thënë: ‘E kemi një lajm të keq, Mirjeta më ka ikur prej shtëpisë’”, ka rrëfyer Zeka.
Ai ka deklaruar se më pas ishte paraqitur në polici për ta raportuar rastin, por, sipas tij, i ishte thënë se rastin duhej ta lajmëronte bashkëshorti i saj.
Zeka ka shprehur dyshime për rrethanat e zhdukjes, duke theksuar se bashkëshorti ishte personi i fundit që kishte qëndruar me të.




