Ministrja në detyrë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli, ka njoftuar se janë shkëputur kontratat e punës për 20 zyrtarë të kësaj ministrie nga komuniteti serb, të cilët, sipas saj, njihen edhe si pjesë e ish-“Mbrojtjes Civile”.
Pacolli bëri të ditur se vendimi është marrë për shkak të mungesës së vazhdueshme të tyre në vendin e punës dhe në përputhje me rekomandimet e Zyrës Kombëtare të Auditimit.
“Sot është nxjerrë vendim për shkëputjen e kontratave të punës për 20 zyrtarë të MMPH-së nga komuniteti serb, të njohur edhe si pjesë e ish-‘Mbrojtjes Civile’. Shkëputja e kontratave vjen si pasojë e mungesës së vazhdueshme të tyre në vendin e punës, si dhe në përputhje me rekomandimet e Zyrës Kombëtare të Auditimit”, ka shkruar Pacolli.
Ajo shtoi se, sipas evidencave zyrtare, këta zyrtarë, të punësuar që nga 5 janari 2016 në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, nuk i kanë përmbushur detyrimet që rrjedhin nga marrëdhënia e punës.
