Në një deklaratë të BE-së thuhet se përfshirja e plotë dhe gjithëpërfshirëse e zgjedhjeve të ardhshme është thelbësore për marrëdhënien e ardhshme mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
“Partitë politike që kanë përmbushur kriteret ligjore duhet të lejohen të marrin pjesë në zgjedhje dhe përfaqësuesit e zgjedhur të marrin mandatet e tyre në të gjithë territorin e Kosovës, përmes një procesi të lirë, të drejtë dhe gjithëpërfshirës”, thuhet në reagim.
BE-ja pret që institucionet përkatëse të sigurojnë që i gjithë procesi i certifikimit, përfshirë edhe apelimet e mundshme, të zhvillohet në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës, Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe parimet e sundimit të ligjit.
Sipas deklaratës, çdo përjashtim i aktorëve politikë bie ndesh me parimin themelor të pjesëmarrjes demokratike të të gjitha komuniteteve në procesin zgjedhor.
