Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës ka konfirmuar arrestimin e qytetarit kosovar Hazir (Arif) Haziri nga autoritetet e Serbisë, më 8 shtator, në pikën kufitare në Merdarë, gjatë hyrjes së tij në territorin serb me automjet privat.
Menjëherë pas marrjes së informacionit, Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi ka ndërmarrë hapa përmes kanaleve diplomatike për të siguruar informacione të sakta mbi ndalimin. Një kërkesë zyrtare i është adresuar autoriteteve serbe për të konfirmuar arrestimin dhe për të sqaruar arsyet ligjore të këtij veprimi.
Për rastin është njoftuar edhe Delegacioni i BE-së në Serbi, si dhe përfaqësuesit diplomatikë të vendeve të Quint-it. Në rast se ndaj z. Haziri vendoset masa e paraburgimit dhe iniciohet procedurë penale, Zyra Ndërlidhëse do të kërkojë vizitë zyrtare në qendrën e ndalimit.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të shmangin udhëtimet përmes territorit të Serbisë, për të garantuar sigurinë dhe mirëqenien e tyre.
