Gazetarja e Klan Kosovës, Rina Mujku ka folur për dëshmitë e zyrtarëve dhe ish-funksionarëve amerikanë në Dhomat e Specializuara të Kosovës, duke theksuar se ata kanë marrë paraprakisht autorizimet përkatëse nga institucionet amerikane për të dëshmuar lidhur me zhvillimet gjatë luftës në Kosovë.
Mujku tha se dëshmitarët, përfshirë diplomatë dhe ushtarakë amerikanë, janë autorizuar nga institucionet përkatëse për të dhënë dëshmi.
“Kjo administratë e cila është aktualisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u ka dhënë leje këtyre diplomatëve dhe ushtarakëve të dëshmojnë”, ka deklaruar Mujku.
“Këta kanë marrë leje, Clark nga Pentagoni dhe po ashtu Rubin nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe dëshmitarët e tjerë nga institucionet përkatëse ku ata kanë funksionuar gjatë luftës së fundit në Kosovë”, tha ajo.
Mujku theksoi se prania e një zyrtareje ligjore amerikane në Hagë lidhet pikërisht me mbikëqyrjen e asaj se çfarë mund të bëhet publike gjatë dëshmive.
“Vetë Departamenti Amerikan i Shtetit ka dërguar krah tyre një zyrtare ligjore për të shikuar se çfarë po dëshmohet, çfarë po zhvillohet dhe natyrisht ajo ua ka tërhequr vërejtjen nëse ndonjëri prej dëshmitarëve i ka tejkaluar ato kompetenca apo ato vija për të cilat i është dhënë leja të dëshmojë”, u shpreh Mujku.
Ajo tha se përveç zyrtares së ardhur nga Washingtoni, në seancë ka qenë e pranishme edhe një zyrtare ligjore e Ambasadës së ShBA-së në Hagë.
“Ka pasur edhe zyrtarë ligjorë, sikurse zëvendëssekretarja për çështje ligjore në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Hagë, Tera Gerhar Cerna, e cila edhe sot ka qenë e pranishme në Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe ka mbajtur vazhdimisht shënime për gjithë çfarë ka ngjarë sot”, deklaroi gazetarja.