Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia në një intervistë për Ekonomia Online, ka deklaruar se të gjitha barnat që gjenden në stokun e Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) tashmë janë bërë publike, pas raportimeve për mungesa të shumta të barnave esenciale në klinikat e QKUK-së, veçanërisht për pacientët me kancer.
Në një prononcim për Ekonomia Online, ai tha se ka pasur raportime të vazhdueshme, shpeshherë edhe të pakonfirmuara, për mungesë të barnave.
“Ka pas raportime të vazhdueshme shpeshherë edhe jo të konfirmuara për mungesë të barnave gjatë gjithë kësaj kohe. Prandaj përmes bordit të SHSKUK-së kam kërkuar që të bëhen publike të gjitha barnat të cilat janë në stoqet e barnatores qendrore në SHSKUK, por jo vetëm. Në këtë drejtim u bënë tash disa muaj që bëhet ky raportim dhe qytetarët në mënyrë që mos të krijohet konfuzitet për barnat të cilat janë apo nuk janë, tash edhe mediat edhe qytetarët mund të shikojnë në faqen, në uebfaqen e SHSKUK-së që cilat barna janë në stoqet tona”, tha ai.
Ministri u bëri thirrje qytetarëve që të raportojnë menjëherë nëse hasin në mungesë të barnave që figurojnë në stok.
