Kryeministri i Kosovës, njëherësh kryetari i LVV-së, Albin Kurti, nuk ka treguar vullnet për të arritur një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit, thotë nënkryetari i Aleancës, Besnik Tahiri.
Tahiri, për KosovaPress, tha se Aleanca nuk ka nevojë për takim me Kurtin, pasi, sipas tij, ende nuk ka marrë përgjigje për gjashtë kërkesat që ia ka adresuar, ku përfshihet edhe gazi amerikan.
Ai e cilësoi procesin e deritanishëm për zgjedhjen e presidentit si një proces për konsum publik.
Vendi ka kohë deri më 6 tetor për ta zgjedhur presidentin.
A pranon Aleanca të takohet me Kurtin për çështjen e presidentit, pas dënimit të ish-krerëve të UÇK-së?
“Çfarë diskutimi përmbajtësor ka pasur në gjashtë kërkesat tona? Të ka thirrë në takim? Njësoj sikur të tjerët, ne e kemi thënë: s’kemi nevojë, s’jemi kah duam takim, s’duam qeveri. Çka po më lyp ti, a po më kallëzon mua për këto gjashtë pika çka mendon? Po çka ndodhi? A e pe çka ndodhi? Është propozuar një kandidat që nuk gjeti mbështetje. Nuk diskutoj, e kam qëndrimin për atë temë, nuk dua me hy. Ditën e parë e kam thënë, i gjithë procesi i diskutimit për president, në këtë format, është për konsum publik, me qëllim për mos me u zgjedh… Seriozitet i bie që unë ta kam dërgu ty një letër. T’i kam adresuar gjashtë pika, për këto pika ti s’më ke kthyer letër. Unë të kam thënë, kjo është qëndrimi im, ti mund të më kishe thënë: hajde të ulemi, të flasim për ndërtimin e institucioneve. O burrë, s’po duam me hy në institucione. Unë po të them, për me i marrë shtatë votat e Aleancës, nuk ke nevojë me i dhënë Aleancës një, dy, tre, katër… Kur ka vullnet, gjithmonë mënyra mundet me u gjet. Po kur ka vullnet se qysh me e mashtru njëri-tjetrin, aty veç e sheh që s’ka vullnet. Aty ka lojë, jo vullnet”, thotë Tahiri.
I pyetur sa mund të ketë një kandidat të propozuar nga PDK, LDK dhe Aleanca, veçmas pas dënimit të ish-krerëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale, Tahiri tha se kjo mbetet në dorën e opozitës për të përcaktuar se çfarë profili dhe lideri i duhet Kosovës në këto rrethana.
Sipas tij, Ramush Haradinaj është profili dhe lideri për president që i duhet Kosovës dhe rajonit.
“Kjo është në dorën e opozitës. Çfarë profili dhe lideri i duhet Kosovës në rrethanat që është, e dinë secili qytetar. Çkado që të them tash, krejt ata mund të thonë se po ka qejf, se e ka të vetin. Po s’po kam qejf, përbesë, as nuk është në zor zoti Haradinaj për këtë pozicion. Në rrethanat që është sot Kosova dhe Ballkani Perëndimor, unë jam i bindur se Ramush Haradinaj i kishte bërë nder dhe ish kanë një president që i kish shërbyer vendit. Ai i ka ndonjëherë qëndrimet e tij, por veç një po të them: kurrë dëm nuk i ka bërë Kosovës pas luftës. Në luftë nuk dua të hy andej, por e din populli. Shtatë vjet i ka mbajtur burg, sa ka qenë në qeveri e ka pasur të vështirë, pasi ka pasur numra pak, po ia la Kosovës ushtrinë dhe shumë çështje të tjera. Në këto rrethana i kish përafru palët”, shton Tahiri.




