Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar sot në ora 10:00 për ecurinë e aktiviteteve në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, ku po vazhdon procesi i numërimit të fletëvotimeve të ardhura me postë për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë në 18 komuna të vendit.
Sipas raportit zyrtar, deri tani janë pranuar gjithsej 12,018 pako me fletëvotime brenda Kosovës. Nga to, 8,932 janë aprovuar ndërsa 3,086 janë refuzuar. Arsyeja kryesore e refuzimit në 3,009 raste është mungesa e dëftesës së regjistrimit, dokument i domosdoshëm për validimin e votës.
Gjatë datave 11–12 nëntor, nga kutitë postare të KQZ-së në 22 shtete janë tërhequr 13,084 pako të votuesve që kanë dërguar fletëvotimet e tyre me postë. Ndërkohë, numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar për të votuar nga jashtë për këto komuna është 29,752.
Për shkak të distancës së madhe, 519 pako të tjera nga SHBA, Kanada dhe Australi ende nuk kanë arritur në Kosovë. Sipas KQZ-së, këto do të vlerësohen dhe numërohen menjëherë sapo të mbërrijnë.
