Studiuesi francez Serge Métais ka folur për raportin e Dick Martyt dhe Gjykatën Speciale, duke pretenduar se shërbimet sekrete ruse nisën operacionet e manipulimit kundër Kosovës pak kohë pas shpalljes së pavarësisë së saj.
Në një pjesë të intervistës për gazetën Epoka e Re, Métais ka deklaruar se synimi i këtij manipulimi ishte që shtetet evropiane të mbeteshin të përçara për një kohë të gjatë lidhur me njohjen e Kosovës.
“Manipulimi i shërbimeve sekrete ruse nisi pothuajse menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Ai drejtohej kundër evropianëve, të cilët asokohe ishin thellësisht të përçarë për njohjen e kësaj pavarësie”, ka thënë ai.
Sipas studiuesit francez, kjo strategji mund të shihet si pararendëse e luftës hibride që, sipas tij, Rusia e presidentit Vladimir Putin po zhvillon sot kundër Evropës.
Ai ka pretenduar se përmes një raporti që do të mbante vulën e Këshillit të Evropës synohej që udhëheqësit e shtetit të ri të Kosovës të dënoheshin moralisht.
“Synimi i tij ishte që evropianët të mbeteshin të përçarë për një kohë të gjatë rreth njohjes së Kosovës, përmes hartimit të një raporti që do ta mbante vulën ‘Këshill i Evropës’ dhe do t’i dënonte moralisht përgjegjësit më të lartë të shtetit të ri”, është shprehur Métais.
Ai ka thënë se, sipas vlerësimit të tij, ky proces nisi zyrtarisht në prill të vitit 2008, kur një parlamentar rus paraqiti një mocion në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, vetëm dy muaj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Métais e ka cilësuar këtë Asamble si një mundësi të rëndësishme për shërbimet sekrete ruse që të zhvillonin operacione dezinformimi.




