Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka kritikuar fjalimin e kryediplomatit kosovar, Glauk Konjufca, në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit në OKB.
Në një postim, Musliu-Shoshi ka thënë se qasja e Konjufcës karshi vendimit të Hagës, la shumë për të dëshiruar.
Sipas saj, aktgjykimi i padrejtë u trajtua më një gjuhë të zbehtë, duke mjaftuar vetëm me konstatimin se “ka gabime në përmbajtje dhe fakte”.
“81 vjet burg për katër figura të luftës sonë çlirimtare meritojnë shumë më tepër sesa një shprehje shqetësimi! ASNJË fjalë për rolin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimi në çlirimin, pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës! Dhe këtë qasje e dëgjuam pikërisht nga njeriu që është caktuar ta udhëheqë strategjinë shtetërore për Hagën! Nëse në Këshillin e Sigurimit nuk artikulohet fuqishëm kundërshtimi ndaj këtij aktgjykimi, ku dhe kur do të artikulohet?”, ka shkruar Musliu Shoshi.
Ajo ka shtuar se në atë mbledhje përfaqësohet Republika e Kosovës dhe historia e saj.
“Ministër, aty nuk përfaqësoni një parti apo një qeveri. Përfaqësoni Republikën e Kosovës dhe historinë e saj! Padrejtësia nuk kundërshtohet me diplomaci sa për formalitet. E vërteta historike nuk mbrohet me gjysmë zëri.”, ka thënë ajo.