Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rrustem Mustafa, ka deklaruar se përmendja e emrit të tij në aktgjykimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit nuk i shkakton shqetësim.
Duke folur në Debat Plus, Mustafa tha se për të, më e rëndësishme është vetë aktgjykimi ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, të cilin e cilësoi si të padrejtë.
“Verdikti i keq që u dha për bashkëluftëtarët tanë i bën të parëndësishme kush përmendet, çfarë thuhet dhe çfarë ngrihet mbi atë dokument, mbi atë urdhër aktgjykimi që u lexua më 16 shtator. Krejt rëndësitë tjera humbin, e rëndësishme është që është aktgjykim i padrejtë”, ka thënë Mustafa.
Emri i Mustafës, së bashku me emrat e Lahi Brahimajt, Fatmir Limajt, Sylejman Selimit, Latif Gashit, Shukri Bujës dhe Sabit Gecit, është përmendur në aktgjykimin e 16 shtatorit, ndonëse ata nuk ishin të pandehur në këtë rast.
Gjatë shpalljes së aktgjykimit, trupi gjykues i Dhomave të Specializuara tha se këta persona ishin anëtarë të “ndërmarrjes së përbashkët kriminale”.


