Një ditë pas zgjedhjeve të 7 qershorit në Kosovë, vëmendja e partnerëve ndërkombëtarë u përqendrua te nevoja për formimin e shpejtë të institucioneve të reja.
Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë theksoi rëndësinë që Kosova të ketë institucione plotësisht të mandatuara dhe të qëndrueshme, “pa asnjë vonesë të mëtejshme”.
“Na duhet një partner i fortë me të cilin mund të punojmë. Progresi në rrugën drejt integrimit në BE varet nga të gjithë aktorët politikë që t’i lënë mënjanë dallimet e tyre dhe të punojnë së bashku në interesin më të mirë të vendit”, thuhet në deklaratë për REL
Ngjashëm, edhe Ambasada e Italisë në Prishtinë shfaqi shpresën se negociatat paszgjedhore do të çojnë në formimin e shpejtë të institucioneve të reja, duke siguruar stabilitetin e nevojshëm për vazhdimin e reformave dhe adresimin e prioriteteve të qytetarëve.
“Ne i inkurajojmë të gjithë udhëheqësit politikë që të angazhohen në dialog konstruktiv dhe të punojnë së bashku për të mirën e vendit dhe të ardhmen e tij”, thuhet në deklaratën e Ambasadës italiane për REL.
Tri palë zgjedhje brenda më pak se një viti e gjysmë
Zgjedhjet e 7 qershorit u mbajtën pas dështimit të Kuvendit të Kosovës për të zgjedhur presidentin e ri, sipas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese.
Ato ishin zgjedhjet e treta brenda më pak se një viti e gjysmë, pas zgjedhjeve të rregullta të 9 shkurtit 2025 dhe një tjetër procesi të parakohshëm më 28 dhjetor.
Zgjedhjet e para nuk arritën të prodhojnë qeveri, ndërsa të dytat, ndonëse i siguruan Lëvizjes Vetëvendosje mbi 51 për qind të votave, nuk sollën marrëveshje për zgjedhjen e presidentit.
Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, doli e para në zgjedhjet e 7 qershorit me 42.91 për qind të votave.
