Lëvizja Vetëvendosje e mbështeti ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, ndonëse vazhdon të ketë dyshime nëse ai mund të ndikojë në proceset gjyqësore në Hagë.
Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, thotë për Radion Evropa e Lirë se partia e saj e votoi ligjin duke u mbështetur në ekspertizën e Partisë Demokratike të Kosovës, e cila e propozoi atë.
Ajo pranon se pa votat e LVV-së, ndryshimet nuk do të mund të miratoheshin në Kuvend, por thekson se partia e saj kishte shprehur rezerva për përmbajtjen e tyre dhe për nxitimin me të cilin kërkohej miratimi.
“Ne kemi pasur dyshimet dhe skepticizmin tonë. E kemi thënë këtë publikisht, edhe në takimet me PDK-në, edhe në deklaratat tona”, thotë Nagavci.
Sipas saj, PDK-ja kishte këmbëngulur se projektligji ishte përgatitur nga ekspertët e saj dhe se ndryshimet mund të ndihmonin në adresimin e aktgjykimit të 16 shtatorit ndaj katër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Ne kemi parë se Partia Demokratike besonte në këtë projektligj, në formën se si e ka hartuar, dhe e kemi dhënë mbështetjen tonë, duke pranuar besimin e tyre”, thotë Nagavci.
Megjithatë, ajo nuk është e bindur se ndryshimet do të përmbushin pritshmëritë për lirimin e ish-krerëve të UÇK-së.
“Përkundër dëshirës dhe vullnetit tonë, ne dyshojmë që [ligji] do të sjellë rezultate të mëdha”, thotë ajo.
Çfarë ndryshon ligji dhe pse ka dyshime?
Ndryshimet e propozuara nga PDK-ja synojnë kufizimin e kompetencave të Dhomave të Specializuara, të cilat janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por funksionojnë në Hagë.
Ato parashohin, ndër të tjera, kufizimin e dënimeve me burgim në 15 vjet, ngushtimin e juridiksionit të gjykatës për nga veprat penale, periudha kohore dhe territori, si dhe mundësinë e shqyrtimit të çështjeve nga Gjykata Supreme e Kosovës.
Ndryshimet parashohin, gjithashtu, mundësinë e vuajtjes së dënimeve në Kosovë dhe të ushtrimit të kompetencës së faljes nga presidenti i vendit.
Nisma erdhi pas aktgjykimit të 16 shtatorit, kur Dhomat e Specializuara i dënuan ish-udhëheqësit e UÇK-së – Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin me nga 25 vjet burgim, Kadri Veselin me 18 vjet dhe Rexhep Selimin me 13 vjet – për krime lufte.
Të katërt u deklaruan të pafajshëm gjatë procesit gjyqësor.
Miratimi i ndryshimeve nga Kuvendi, megjithatë, nuk garanton se ato do të ndikojnë në proceset gjyqësore në Hagë apo në dënimet e shqiptuara.
Një nga çështjet kryesore juridike është nëse ndryshimet e një ligji mund të ndikojnë në kompetencat e një gjykate, mandati i së cilës mbështetet edhe në Kushtetutën e Kosovës dhe në zotimet e saj ndërkombëtare.
Dhomat e Specializuara u themeluan në vitin 2015, përmes ndryshimeve kushtetuese dhe miratimit të një ligji të veçantë. Ato funksionojnë në mënyrë të pavarur nga institucionet e tjera të Kosovës.
Nagavci thotë se pikërisht këto çështje kanë qenë në qendër të rezervave të LVV-së.
“A mundet ligji të adresojë çështje të cilat tashmë janë përcaktuar me Kushtetutë? A mundet projektligji të tejkalojë edhe marrëveshjet ndërkombëtare?”, pyet ajo.
Ajo përmend edhe letërkëmbimin e vitit 2014 ndërmjet presidentes së atëhershme të Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, që i parapriu themelimit të gjykatës.
Nagavci shpreson që ekspertët e angazhuar nga PDK-ja t’i kenë shqyrtuar këto çështje, duke theksuar se përgjegjësia për pasojat e ligjit shkon përtej një partie politike.
PDK-ja, nga ana tjetër, mbron qëndrimin se ndryshimet janë në përputhje me Kushtetutën dhe detyrimet ndërkombëtare të Kosovës.
Deputeti i saj, Përparim Gruda, e kundërshtoi vlerësimin se ligji i shkel këto detyrime.
“Kosova u rri besnike detyrimeve që ka marrë për të hetuar pretendimet për trafikim të organeve. Gjykata Speciale nuk do të mbyllet dhe asnjë detyrim ndërkombëtar nuk do të shkelet”, tha Gruda gjatë një konference për media.
BE-ja dhe Gjermania kundërshtojnë ndryshimet
Miratimi i ligjit nxiti reagime nga Bashkimi Evropian dhe Gjermania, të cilat ngritën shqetësime për detyrimet ndërkombëtare të Kosovës dhe pavarësinë e Dhomave të Specializuara.
Më 7 tetor, zëdhënësi i BE-së, Christian Wiegand, tha për Radion Evropa e Lirë se ndryshimet bien ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës ndaj bllokut.
Ai i bëri thirrje Kosovës të respektojë pavarësinë gjyqësore të Dhomave të Specializuara dhe zotimet për sigurimin e drejtësisë për viktimat dhe familjet e tyre nga të gjitha komunitetet.




