Jared Kushner ka reaguar ndaj raportimeve të disa mediave amerikane lidhur me projektin e planifikuar në zonën e Zvërnecit në Shqipëri, duke hedhur poshtë pretendimet se toka i është dhënë nga qeveria shqiptare dhe duke paraqitur detaje mbi investimin dhe planet për zhvillimin e zonës.
Në reagimin e tij, Kushner ka thënë se toka është blerë përmes një transaksioni privat për 230 milionë euro, ndërsa ka theksuar se investimi i përgjithshëm, nëse projekti realizohet, mund të arrijë në rreth 4 miliardë euro.
“Toka nuk na u dha nga qeveria shqiptare. Partnerët tanë e blenë atë nga një palë private për 230 milionë euro në një transaksion privat, ndër çmimet më të larta të paguara në rajon për një transaksion të këtyre përmasave”, ka shkruar Kushner.
Sipas tij, titulli i pronësisë është shqyrtuar nga këshilltarët ligjorë dhe është verifikuar para vijimit të projektit.
Kushner ka deklaruar se projekti ka nisur si një investim privat, i mbështetur në bindjen për potencialin ekonomik dhe turistik të Shqipërisë.
“Ne po investojmë kapital të konsiderueshëm privat në një vend që nuk ka pasur kurrë një projekt të kësaj shkalle. Edhe pse nuk ka garanci, ne po e ndërmarrim këtë rrezik sepse besojmë te Shqipëria dhe besojmë te shqiptarët”, ka shkruar ai.
Ai ka thënë se, nëse projekti rezulton i suksesshëm, mund të përfaqësojë rreth 4 miliardë euro investime dhe të krijojë vende pune, aktivitet ekonomik dhe më shumë vizibilitet ndërkombëtar për Shqipërinë.
Kushner ka theksuar gjithashtu se puna për projektin ka zgjatur më shumë se tre vjet, gjatë të cilave, sipas tij, janë shpenzuar dhjetëra miliona dollarë për studimin e terrenit, mjedisit dhe nevojave të rajonit.
Ai ka bërë të ditur se në proces janë përfshirë arkitektë, dizajnerë, inxhinierë, ekspertë mjedisorë dhe partnerë të tjerë, me synimin për të krijuar një projekt që, sipas tij, të ketë ndikim afatgjatë në zhvillimin ekonomik të Shqipërisë.
Kushner ka përmendur edhe partnerët në projekt, përfshirë Asher Abehsera, të cilin e ka përshkruar si mik dhe partner biznesi, si dhe familjen shqiptare Kastrati, e cila, sipas tij, ua kishte prezantuar fillimisht mundësinë e investimit në këtë zonë.




