Dogana e Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka parandaluar një rast të dyshuar të kontrabandimit të substancave narkotike në Pikën e Kalimit Kufitar në Vërmicë.
Sipas njoftimit të Doganës së Kosovës, gjatë hyrjes në territorin e Republikës së Kosovës, zyrtarët doganorë kanë ndaluar për kontroll fizik një autobus me udhëtarë, duke kontrolluar automjetin dhe bagazhet.
Gjatë intervistimit, njëri prej udhëtarëve është pyetur nëse kishte ndonjë mall apo send për të deklaruar, por ai nuk ka deklaruar asgjë.
Megjithatë, gjatë kontrollit fizik të çantës së tij të krahut, zyrtarët kanë zbuluar një qese plastike me një substancë të dyshuar narkotike.

Pas peshimit, është konstatuar se bëhej fjalë për 2.162 kilogramë marihuanë.






