Vetëm tetë inspektorë janë aktualisht të angazhuar në sektorin e ndërtimit në Komunën e Prishtinës, numër ky që konsiderohet i pamjaftueshëm për mbikëqyrjen e të gjitha aktiviteteve ndërtimore në kryeqytet. Kështu deklaron drejtori i Inspeksionit, Bekim Brestovci.
Ai thotë se pavarësisht kapaciteteve të kufizuara, komuna po vazhdon me ndërprerjen e punimeve dhe rrënimin e objekteve të ndërtuara pa leje, ndërsa bën të ditur se tashmë është siguruar edhe kontrata për rrënime, pas një periudhe kur mungonte ajo.
Sipas Brestovcit, ndërtimet pa leje janë zvogëluar gjatë vitit 2025 dhe në fillim të vitit 2026, ndërsa rastet e mbetura janë kryesisht në zonat periferike dhe fshatrat përreth kryeqytetit.
“Nëse flasim për inspektoratin e ndërtimit, kemi të arritura bukur të mëdha të realizuara gjatë vitit 2025 dhe në këtë fillim të vitit 2026. Është një numër skajshmërisht i zvogëluar i ndërtimeve pa leje, sepse më në fund është kuptuar se do jemi jo tolerantë ndaj ndërtimeve pa leje. Edhe ato të cilat nuk kanë mbërri akoma me u ekzekutuar si vendime për rrënim, janë në ekzekutim e sipër. Kemi pasur një periudhë kohore kur kemi qenë pa një kontratë rrënimi, të cilën tani fatbardhësisht e kemi dhe jemi tash në kontuinitet të punës për rrënimin e të gjitha atyre objekteve të cilat janë ndërtuar pa leje. Kemi bërë diçka që është bërë për herë të parë, jo vetëm në Prishtinë, por edhe në Kosovë, që kemi filluar që tani e tutje të ndalojmë të gjitha objektet ndërtimore të jepen në përdorim, qofshin ato njësi banesore, afariste, industriale apo edhe publike, pa e kryer një detyrim ligjor, e që është inspektimi final dhe certifikata e përdorimit”, thotë Brestovci.
Ai sqaron se fillimisht ndaj ndërtuesve pa leje nxirret vendimi për ndërprerjen e punimeve. Nëse ky vendim nuk respektohet, pason vendimi për rrënim, i cili ekzekutohet pas përfundimit të procedurave ligjore dhe të drejtës së ankesës.
“Kur hasim në një ndërtim pa leje, veprimi i parë që mirret është me e nxjerrë një vendim për ndalim të punimeve. Nëse pala i ndalon punimet dhe nuk vazhdon me punimet, por drejtohet me kërkesë pastaj në drejtorinë urbanizmit për t’u pajisur me leje, ne i japim kohë në mjaftueshme për t’u pajisur me leje. Nëse palët nuk e respektojnë urdhëresën e cila del nga vendimi për ndërprerjen e punimeve, pastaj pason vendimin për rrënimin e objekteve, dhe pasi të kalojnë masa juridike, e drejta e tyre ankimore në komisionin e ankesave, vendimi bëhet i plotfuqishëm dhe pastaj ë kalojmë në ekzekutim të atij vendimi dhe në rrënim të atij objekti. Disa objekte, natyrisht që shoqërohen edhe me gjoba. Gjobat mandatore janë tepër të ulëta, 500 €, por ka raste kur ne iniciojmë edhe procedura të tjera, qoftë procedurë kundërvajtese, qoftë edhe procedurë penale. I drejtohemi pastaj edhe gjykatës për procedura kundërvajtese, pastaj ato dënime shkojnë deri në 30 mijë euro”, thekson Brestovci.
Brestovci tregon se në zilen zonë të kryeqytetit ballafaqohen me problemin më të madh të ndërtimeve pa leje.
“Qytetari ka filluar me u vetëdijesuar, në zonat qendrore, në zonat që janë të urbanizuara nuk kemi pothuajse raste të tilla. Kemi kryesisht në zonat periferike, që përfshijnë edhe disa fshatra të cilat janë në afërsi të kryeqytetit, por nuk janë qendër e kryeqytetit, janë zakonisht zona periferike, zona të cilat, po them, mendon qytetari, ndoshta shpesh herë hasim në të tillë që nuk e kanë as dijeninë, sepse i zotëron ende bindja që në një fshat nuk ka nevojë për leje ndërtimore. Kështu që ka raste kur ne e vërejmë këtë dukuri, i marrim masat tona, siç thashë, vendimin për ndërprerje të punimeve, dhe pastaj shumica prej tyre i drejtohen urbanizmit me kërkesë për t’u pajisur me leje ndërtimore, mirëpo kemi të tillë të cilët provojnë vazhdojnë me punimet, që na obligojnë pastaj të marrim vendimin tjetër e që është vendimi për rënim të atij objekti”, thotë Brestovci.
Derisa flet edhe për numrin e inspektorëve në këtë sektor, ai thotë se fatkeqësisht ky numër është jo i mjaftueshëm krahasuar nevojat e kryeqytetit.
“Fatkeqësisht, ne po e bëjmë maksimumin e maksimumit me kapacitetet momentale që i kemi, për të bërë më të mirën. Kemi krijuar një klimë të mirë brenda për brenda drejtorisë së inspekcionit, një frymë të mirë bashkëpunimi, kemi objektiva të qarta, të cilat vijnë natyrisht nga vizioni i kryetarit të kryeqytetit, pastaj përmes meje si drejtor i inspekcionit. Mirëpo numri është tepër i vogël. Ne, në sektorin e ndërtimit, momentalisht kemi vetëm tetë inspektorë dhe katër zyrtarë, që është shumë pak, sepse, përveç që merremi me inspektimin e të gjitha fazave të ndërtimit, vijnë pastaj dhe inspektimet finale, vijnë edhe certifikatat e përdorimit, vije pastaj procedura për të gjitha objektet që i kemi në teren”, thotë Brestovci.
Brestovci ka folur edhe për gjobën prej 5 mijë eurosh të shqiptuar ndaj Komunës së Prishtinës nga Ministria e Mjedisit, lidhur me mbetjet e vendosura në një lokacion të kryeqytetit. Ai e ka cilësuar këtë vendim si të kundërligjshëm dhe ka paralajmëruar ankesë.
“Më ka befasuar se me çfarë është mburrë ministria e ambientit. Ne ato mbeturina, të cilat ajo i quan mbeturina që nuk janë mbeturina, janë gjëra të hedhura nga qytetarët, sepse mbeturina është vetëm një mbetje e fundit e cila nuk e ka mundësinë për t’u trajtuar. Ne i kemi marrë nga kryeqyteti, do të thotë kanë qenë në mobilieri, dhe i kemi marrë vetëm në pamundësi për t’i dërguar në ndonjë deponi, për të cilat është niveli qendror kompetent për t’i krijuar deponitë për mallrat, dhe në një zonë të cilën e kemi momentalisht duke e rigjeneruar me mbushje dheu, kemi vendosur që një kantë e asaj zone të ja dedikojmë momentalisht për t’i vënë në një pikë transferi, këtu hedhurina, për mua janë hedhurina, jo mbeturina. Ministrja në vend që të merr veprime, që të krijojë kushte, sepse ne themi që problematika me mbeturinat fillon të zgjidhet kur ne bashkërisht, edhe niveli komunal edhe niveli qendror, të krijojmë parakushte që qytetari të ketë mundësi të sillet dinjitetshëm në raport me mbeturinat”, thotë ai.
Ndërsa thotë se do të ankimojnë këtë vendim.
“Po, kjo nuk diskutohet, sepse është e kundërligjshme, nuk ka asnjë bazë ligjore, sepse këto materie nuk kanë qenë materie të kontaminueme, nuk bëhet fjalë për mundësi të kontaminimit të asaj zone, të cilën ajo e quan zonë afërsi të ujërave, mirëpo kanë qenë materie të ngurta, të cilat në asnjë formë nuk paraqesin asnjë lloj rrezikshmërie dhe nuk është ndonjë rrezik për kontaminim të asaj sipërfaqe të tokës. Pra, është një veprim vetëm sa për konsum politik, vetëm sa për të thënë që bëra diçka, mirëpo në fakt nuk është një gatishmëri, deri më tani, nga ana e saj, që të ofrojë zgjidhje edhe për komunat, por edhe për qytetarët”, thotë Brestovci.
Brestovci flet edhe për çështjen e ushtrimit të dy pozitave drejtuese për një periudhë pesëmujore, i cili thekson se Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit e ka trajtuar rastin dhe ka konstatuar se nuk kishte konflikt interesi.
“Po, ka qenë një periudhë kohore kur unë kam ushtruar detyrën edhe të drejtorit të shërbimeve publike, dhe pastaj më është besuar nga kryetari i kryeqytetit edhe detyra e drejtorit të drejtorisë së inspekcionit. Ka qenë një fazë pesëmujore, derisa kryetari pastaj ka marrë një vendim për emërimin e një drejtori të ri në drejtorinë e shërbimeve publike. Kemi pasur mendime të tilla që është një konflikt interesi, një kërkesë nga kush do qoftë ka shkuar edhe në Agjencionin Antikorrupsion, të cilët e kanë trajtuar këtë çështje dhe pastaj në formë të shkruar kanë marrë përgjigje prej tyre që nuk bëhet për konflikt interesi. Kështu që jam liruar prej atij obligimi, po sidoqoftë, nuk i mbaj dy pozita, sepse ka qenë vetëm për një kohë të shkurtër, derisa është marrë një vendim për emërimin e një drejtori të ri në drejtorinë e shërbimeve publike”, thotë Brestovci