Drejtori i Shërbimit Korresktues të Kosovës (SHKK), Ismail Dibrani ka thënë se synimi kryesor i tyre për këtë vit është fuqizimi i njësisë ekonomike, njësi e cila sipas tij, do të jetë promotor i zhvillimit ekonomik të SHKK-së.
Dibrani ka deklaruar se prioritet i tyre është trajtimi i personave me nevoja të veçanta, ku fokus është shëndeti mendor.
“Sot, kur po flasim Shërbimi Korrektues i Kosovës cilësohet si model, jo vetëm në rajon, por edhe në Evropë dhe më gjerë. Vetëm vitin e fundit Shërbimi Korrektues i Kosovës është vlerësuar me dy çmime ndërkombëtare të ekselencës. Vitin e kaluar nga institucioni ndërkombëtar, Organizata Ndërkombëtare e Burgjeve, për reformë në programe rehabilituese dhe trajtim të kujdesit shëndetësor. Po ashtu edhe këtë vit për reformë në programe rehabilituese nga Rrjeti Evropian i Burgjeve në mesin e pesë shteteve më të mira. Prioriteti ynë mbetet trajtimi i personave me nevoja të veçanta, fokusi te shëndeti mendor. Siç e dini edhe në këtë drejtim, neve vetëm kemi themeluar institucionin për trajtimin e personave me nevoja të veçanta. Po ashtu kemi filluar zgjerimin e kapaciteteve në Institutin e Psikiatrisë Forenzike atje. Por, sigurisht që synimi ynë kryesor gjatë këtij viti është fuqizimi i njësisë ekonomike, njësi e cila do të jetë promotor i zhvillimit ekonomik të Shërbimit Korrektues të Kosovës”, tha ai.
Kurse, sa i përket keqtrajtimeve në institucione korrektuese, Dibrani tha se nuk është evidentuar ndonjë rast i faktuar.
“Fati i mirë është që viteve të fundit, edhe pse kemi pasur ankesa të vogla apo raste të izoluara të ankesave, nuk është evidentuar asnjë rast i vetëm i cili është i faktuar, si nga organizatat vendore, po ashtu edhe nga organizatat ndërkombëtare. E keni parë edhe vitin e kaluar edhe raporti i vendit apo raporti i progresit nuk evidenton asnjë rast të vetëm të keqtrajtimit të personave që mbahen në institucionet tona korrektuese”, u shpreh ai.
Ai tha se aktualisht në institucionet korrekturse aktualisht po mbahen 1744 persona, prej të cilëve rreth 60 janë të mitur.
“Sot kur po flasim, kemi 1744 persona. Prej tyre janë 1100 të dënuar dhe 500 e diçka të paraburgosur. Këto shifra janë me vite, 1000 deri 1100 të dënuar dhe 600-500 të paraburgosur, që nuk dallojnë me vite. Po ashtu, numri i të miturve, përfshirë qendrën e paraburgimit për të mitur, qendrën me masa edukative dhe qendrën korrektuese, nuk e tejkalon 50-60 të mitur”, tha Dibrani.
Dibrani bëri të ditur se në prill të vitit 2027 do vijë grupi i parë i të burgosurve nga Danimarka.
