Bllokada politike dhe mungesa e institucioneve të reja kanë bërë që dhjetëra institucione shtetërore të udhëhiqen nga ushtrues detyre. Njohësit e çështjeve kushtetuese paralajmërojnë se kjo gjendje po rrezikon funksionimin normal të shtetit dhe të institucioneve të pavarura.
Kosova tash e një kohë të gjatë po funksionon me ushtrues detyre në shumë institucione. Pozita kryesore e shtetit, ajo e presidentit, është me ushtrues detyre, ku këtë pozitë e ka Albulena Haxhiu, e cila po ashtu ka edhe pozitën e kryetares së Kuvendit në detyrë, pas shpërndarjes së Kuvendit.
Kryeministri Albin Kurti vazhdon ta ushtrojë detyrën në cilësinë e kryeministrit në detyrë, deri në formimin e institucioneve të reja që dalin nga zgjedhjet e 7 qershorit. Me ushtrues detyre funksionojnë edhe një sërë institucionesh në kuadër të Ministrisë së Financave, përfshirë Thesarin, Njësinë për Inteligjencë Financiare dhe Agjencinë Qendrore të Prokurimit. Edhe në Ministrinë e Drejtësisë, disa institucione udhëhiqen nga ushtrues detyre, si Avokatura Shtetërore, Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar, Agjencia për Ndihmë Juridike Falas dhe Instituti i Mjekësisë Ligjore.
Situatë e ngjashme është edhe në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ku Akademia e Kosovës për Siguri Publike dhe Agjencia e Regjistrimit Civil funksionojnë me ushtrues detyre.
Nga Instituti i Kosovës për Drejtësi vlerësojnë se, përveç pozitave të mbajtura me ushtrues detyre, shqetësues mbetet fakti se një numër institucionesh funksionojnë me përbërje jo të plotë, ndërsa të tjera rrezikojnë të bllokohen nëse nuk konstituohen institucionet e reja.
