Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve E.M., E.E., E.I., K.Q., SH.XH., M.Q., I.B., L.H. dhe E.H., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se kanë kryer veprat penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit” dhe “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, si dhe vepra të tjera penale.
Sipas aktakuzës, të pandehurit, duke vepruar si anëtarë të një grupi, gjatë vitit 2024, në fshatrat Kliqinë dhe Sverkë të Pejës, kanë kultivuar bimë narkotike të llojit kanabis sativa, me qëllim të prodhimit dhe shpërndarjes së narkotikëve.
Në dy parcela janë kultivuar gjithsej 2,850 bimë kanabis sativa, ndërsa nga këto bimë është siguruar narkotik i llojit kanabis sativa në peshë të përgjithshme prej mbi 1,035 kilogramë e 712 gramë, e cila është sekuestruar nga Policia e Kosovës gjatë zbatimit të urdhërkontrollit më 27 shtator 2024.
Sipas aktakuzës, njërit prej të pandehurve i ishte premtuar shuma prej 15,000 eurosh për angazhimin në kultivimin e narkotikëve, ndërsa gjatë hetimeve, ndaj njërit prej të pandehurve janë gjetur dhe sekuestruar edhe 1,540 euro në kartëmonedha të falsifikuara, të cilat dyshohet se i posedonte me qëllim të futjes në qarkullim.


