Sikur mos të mjaftonin shpenzime të tjera me të cilat është ngarkuar qytetari i Kosovës, nga 1 janari i këtij viti (2026) qytetarëve iu rëndua edhe më tej xhepi, duke bërë që të paguajnë më shtrenjtë edhe për çmimin e faturave të ujit pas vendimit të Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit për rishikimin trevjeçar të çmimeve.
Zëdhënësja e KRU “Prishtina”, Arjeta Mjeku në një intervistë për Ekonomia Online, tha se rritja e çmimit të faturave të ujit ishte si rezultat i kostove të shtuara të energjisë elektrike, trajtimit të ujit dhe investimeve në infrastrukturë.
“Po, realisht rritja e çmimit të ujit ka ndodhur nga data 1 Janar e vitit 2026 dhe është një periudhë për tre vjeçare e përcaktuar nga Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit, pasi që ne, të gjithë ujësjellësit, kemi bërë kërkesë për rritje të çmimit të ujit për shkak të kostos së lartë të trajtimit të ujit, shpenzimeve të larta operative, pastaj investimeve në mirëmbajtjen e infrastrukturës së rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimit, pra edhe rritja e energjisë elektrike. Të gjitha këto pra kanë bërë që ne të bëjmë një kërkesë të tillë në Autoritetin Rregullator, dhe pas analizave të tyre, atëherë çmimi i ujit është rritur nga 0.44 cent në 0.63 cent tarifa vëllimore për shërbime të ujit. Ndërkaq, tarifa vëllimore për shërbimet e ujërave të zeza, 12 cent pra për sektorin shtëpiak”, tha ajo.
