Një shpërthim i fuqishëm i ndjekur nga një zjarr ka tronditur banorët e një pallati në Menziken, në Zvicër, mbrëmjen e së shtunës.
Ngjarja shkaktoi panik mes banorëve, ndërsa një person pësoi djegie të konsiderueshme dhe u transportua me helikopter drejt spitalit.
Sipas dëshmive të banorëve të publikuara nga media zvicerane 20 Minuten, shpërthimi ndodhi në një garazh individual të një pallati shumëkatësh. Fuqia e tij ishte aq e madhe sa porta e garazhit u shkëput nga vendi, ndërsa më pas shpërtheu zjarri.
Një prej personave të parë që mbërriti në vendngjarje ishte 47-vjeçari Viliam, i cili tentoi të shuante flakët me një fikëse zjarri.
“Zjarri po bëhej gjithnjë e më i madh. Fillimisht nuk mund t’u besoja syve për atë që po shihja”, rrëfeu ai, duke treguar se të gjithë banorët dolën me nxitim nga ndërtesa pas shpërthimit.
Një tjetër banore 39-vjeçare tregoi se fillimisht dëgjoi dy shpërthime të fuqishme, të cilat e tmerruan. Ajo doli me panik nga apartamenti pa marrë as xhaketën, ndërsa më vonë iu desh të qëndronte për orë të tëra jashtë banesës, derisa zjarrfikësit i dhanë një batanije.

Dëshmia më tronditëse vjen nga Fadili, 49 vjeç, i cili jeton në katin e tretë të pallatit.
Ai tregoi se po kthehej nga një shëtitje rreth orës 18:30, kur dëgjoi një shpërthim të fuqishëm. Pak çaste më vonë, sipas tij, ndodhi edhe një shpërthim tjetër.
“Banoja në katin e tretë dhe reja e tymit arrinte deri aty. Më pas dëgjova britma. Tri herë dikush kërkoi ndihmë”, rrëfeu ai për 20 Minuten.

