Nga 1 prilli, qiramarrësit e lokaleve në Pallatin e Rinisë do të përballen me çmime të reja. Deri në 24 euro për metër katror do të jetë çmimi i ri për lokalet në vijën e parë të këtij pallati, thonë nga Ndërmarrja Publike Lokale “Pallati i Rinisë”. Bizneset thonë se kjo do t’ua rëndojë edhe më shumë barrën financiare.
Duke filluar nga 11 euro deri mbi 24 euro për metër katror, do të jenë çmimet e reja të përfshira në rregulloren e re për bizneset lokale në Pallatin e Rinisë, e cila është e ndarë në katër zona. Në zonën A çmimi do të jetë 24.65 euro, në zonën B çmimi do të jetë 18.92 euro, në zonën C çmimi do të jetë 16.23 euro dhe në zonën D çmimi do të jetë 11.87 euro. Këto tarifa do të hyjnë në fuqi nga data 1 prill.
Mbi 60 biznese që operojnë në Pallatin e Rinisë, disa prej tyre do të preken ndjeshëm, duke u rrezikuar funksionimi i tyre. Gastronomia është më e prekura nga kjo rregullore.
Bedri Statovci nga pastiçeria “Piano”, që gjendet në zonën A në Pallatin e Rinisë, ka 37 vite që është pjesë e kësaj hapësire. Ai thotë se qiramarrësit në Pallatin e Rinisë kanë kontribuar për ambientet e kësaj qendre. Statovci thotë se qiraja me rregulloren e re kalon mbi 5 mijë euro, gjë e cila nuk mund të mbulohet.
“Nëse kjo ndodh, neve nuk na mbetet tjetër, përveç se t’i mbyllim lokalet, por investimet dikush duhet të na i shpaguajë. Aty nuk është bërë asnjë investim me vite të tëra, përveç nga ne pronarët. Ku e kanë caktuar zonën, nuk e di. U kam thënë se nuk e pranoj rregulloren, ua dorëzoj çelësat, m’i ktheni investimet mbi 150 mijë euro, tërhiqem menjëherë, por pa i kthyer investimet nuk e pranoj. Njerëzit kanë investuar shumë aty, andaj me i qit tash pas 30 viteve, nuk është e lehtë”, tha Statovci.
