Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar një muaj paraburgim ndaj pesë shtetasve të Turqisë, të dyshuar për lëndim të lehtë trupor, shtrëngim dhe privim të kundërligjshëm të lirisë.
Sipas njoftimit të Gjykatës, masa e paraburgimit është caktuar pas aprovimit të kërkesës së Prokurorisë së Shtetit dhe mund të zgjasë deri më 9, respektivisht 10 dhjetor 2026.
Pesë të dyshuarit, me inicialet M.D., M.D.G., S.K., R.O. dhe M.P., dyshohet se më 1 nëntor 2026, rreth orës 07:20, në Prizren, fillimisht ia kanë bllokuar rrugën një personi me inicialet S.B., me një automjet furgon, dhe më pas e kanë sulmuar fizikisht
Sipas dyshimeve të paraqitura nga Prokuroria, ndaj viktimës janë përdorur grushte, shqelma dhe mjete të mprehta, përkatësisht thika, duke i shkaktuar nëntë plagë shpuese-prerëse. I dëmtuari më pas ka kërkuar trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Prizrenit.
Por, sipas dosjes së Prokurorisë, ngjarja nuk është ndalur me kaq. Të dyshuarit pretendohet se e kanë futur me forcë viktimën në furgon, ia kanë vendosur një thes në kokë dhe e kanë dërguar në një shtëpi private në Prishtinë.
Aty, sipas dyshimeve, e kanë mbajtur të mbyllur kundër vullnetit të tij për rreth dhjetë orë, duke e kërcënuar me thika dhe duke ushtruar dhunë e presion të vazhdueshëm.




