Rritja e ndjeshme e rasteve të dhunimit ku 90 për qind e viktimave janë të mitur përbën shqetësim tha zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, i cili shtoi se të gjithë të dyshuarit për këto vepra penale ndodhen në paraburgim, ndërsa viktimat po trajtohen në shtëpi të sigurta, strehimore apo në familjet e tyre.
Për Ekonomia Online, Nikçi theksoi se Prokuroria Themelore në Pejë ka kompetencë territoriale mbi pesë komuna dhe se në secilin rast janë ndërmarrë veprimet e nevojshme ligjore në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.
“Prokuroria themelore në Pejë ka kompetencë territoriale mbi pesë komuna. Është shqetësuese për shkak se ka rritje të ndjeshme të rasteve të dhunimit dhe për fat të keq 90% të rasteve viktimat janë të mitur, ndërsa kryesit janë madhor. Mirëpo në secilin rast, si prokurori kemi ndërmarrë veprimet e nevojshme bashkë me policinë e Kosovës, kemi arrestuar personat e dyshuar, ndërkaq viktimat kanë marrë trajtimin e duhur, ndërsa të gjithë ata që kanë kryer këto vepra penale gjenden nën masat e paraburgimit, kurse viktimat gjenden në shtëpi të sigurta, në strehimore apo në shtëpitë e tyre. Fillimisht u është dhënë trajtimi i duhur duke u caktuar psikologu, mbrojtësi i viktimave, prokurori i shtetit dhe njëkohësisht ndaj personave të pandehur janë ndërmarrë veprime ligjore”, tha ai.
Nikçi veçoi një rast të parandaluar në komunën e Istogut, ku, sipas tij, një telefonatë e qytetarit ka mundësuar kapjen në flagrancë të një të dyshuari për tentim dhunimi ndaj një të miture brenda një moteli.
“Vlen të potencoj një rast që ka ndodhur në komunën e Istogut, ku një thirrje e qytetarit ka bërë të mundur që të parandalohet dhe të arrestohet dhe të zbulohet një vepër e rëndë penale në këtë rast dhunimi, ku një kryesi i kësaj vepre penale që ka qenë madhor ka tentuar të dhunojë një të mitur brenda një moteli, mirëpo një telefonatë e qytetarit ka shërbyer që ky rast të parandalohet dhe të kapet në flagrancë. Ajo çka i nevojitet prokurorisë së shtetit dhe policisë së Kosovës është bashkëpunimi i qytetarëve dhe në këtë aspekt besoj që ka besueshmëri më të madhe të qytetarëve të raportimet e këtyre rasteve, mirëpo i shfrytëzoj rastin që përmes mediumit tuaj t’ju bëjmë apel të gjithë qytetarëve që kudo që shohin informata një telefonatë mund të shpëtojë një jetë dhe një telefonatë mund ta çojë një kryes të kësaj vepre të rëndë penale në burg”, tha ai.
