Mbi një miliard euro po presin të shfrytëzohen nga Kosova që më shumë se një vit. Marrja e këtyre fondeve vazhdon të jetë peng i aprovimit nga Kuvendi i Kosovës.
Mungesa e institucioneve të reja përgjatë 2025-tës ia pamundësoi shtetit përfitimin e 882 milionë eurove nga Plani për Reforma dhe Rritje i Bashkimit Evropian (BE) dhe të mbi 120 milionë eurove të tjera nga tri marrëveshje me Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim (ANZH) të Bankës Botërore.
Këto marrëveshje ndërkombëtare mbërritën në duart e deputetëve të legjislaturës së tetë të Kuvendit, në fund të vitit 2024. Ratifikimin po e presin që atëherë.
Çfarë pritet nga legjislatura e dhjetë?
Rezultati i zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit në Kosovë e bëri të qartë se do të ketë një shumicë të thjeshtë për konstituimin e Kuvendit 120-anëtarësh dhe për formimin e Qeverisë së re. Por, për miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, ashtu sikurse edhe për zgjedhjen e presidentit të vendit, duhen 80 vota.
Nëse Kuvendi nuk do të arrijë ta zgjedhë presidentin as në votimin e tretë, që kërkon të paktën 61 vota nga jo më pak se 2/3 e deputetëve të pranishëm në sallë, vendin mund ta presin zgjedhje të reja në pranverë.
A do t’i miratojë Kuvendi marrëveshjet ndërkombëtare para se të rrezikojë një shpërndarje të radhës?
Lëvizja Vetëvendosje (LVV), që i fitoi zgjedhjet parlamentare, llogarit në bashkëpunimin e opozitës që të zhbllokohen fondet e huaja për Kosovën.
Ish-nënkryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, tha për Radion Evropa e Lirë (REL) se LVV-ja pret nga partitë opozitare që të mos e kushtëzojnë votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare me çështjen e presidentit.
“Nuk besoj që marrëveshjet ndërkombëtare duhet të futen në diskutimet për çështjen e presidentit. Është e rëndësishme që Kuvendi t’i kryejë obligimet në lidhje me këto marrëveshje, ndërsa çështja e presidentit është një fazë tjetër, ku do të ketë diskutime. Presim vullnetin e tyre [të opozitës] për t’i votuar, dhe jo kushtëzime”, u shpreh Haxhiu.
Nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) thonë se nuk do të jenë bllokues për sa i përket aprovimit të marrëveshjeve ndërkombëtare.
“LDK-ja i ka votuar, dhe do të vazhdojë t’i votojë ato marrëveshje që janë në interes të Republikës së Kosovës”, tha Anton Quni, nënkryetar i LDK-së, në një deklaratë për REL-in.
Ndërkaq, nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) nuk iu përgjigjën thirrjeve të REL-it për të komentuar për këtë çështje.
Megjithatë, kreu i PDK-së, Bedri Hamza, deklaroi ditë më parë para mediave se partia e tij i ka votuar marrëveshjet ndërkombëtare edhe në të kaluarën, dhe se do të kontribuojë për gjithçka që është në interes dhe në dobi të Kosovës.
