Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Besa Kabashi-Ramaj, ka kërkuar dorëheqjen e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla-Schwarz, dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, pas dështimeve institucionale në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.
Në një konferencë për media, Kabashi-Ramaj ka kritikuar dy ministrat për mungesë të përgjegjësisë politike, duke theksuar se pranimi i dështimeve institucionale nuk mjafton pa përgjegjësi konkrete.
Ajo i ka bërë thirrje kryeministrit Albin Kurti që të kërkojë dorëheqjen e tyre, ndërsa në rast refuzimi, t’i shkarkojë.
“Kërkesa jonë është e qartë: dorëheqje të ministrave përgjegjës, hetim të plotë të çdo dështimi dhe veprim urgjent për mbrojtjen e jetës. Sepse Arlinda e pagoi me jetë dështimin e mbrojtjes”, deklaroi deputetja.
Kabashi-Ramaj ka theksuar se dorëheqja e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Gazmend Hoxha, nuk e përjashton ministrin Sveçla nga përgjegjësia politike për funksionimin e këtij institucioni.



