Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Mërgim Lushtaku, ka qenë i ftuar në një intervistë në televizionin Tëvë1, ku ka folur për zhvillimet rreth Gjykatës Speciale në Hagë dhe mundësinë e një vendimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Lushtaku ka thënë se nuk mund të flasë në emër të Gjykatës Speciale, por ka shprehur shqetësimin e tij për deklaratat që po qarkullojnë lidhur me një vendim të mundshëm.
“Sigurisht nuk mund të flas në emër të Gjykatës Speciale, sepse gjykata i ka vendimet e veta dhe mendimet e veta. Më vjen keq që po dëgjoj një deklaratë të tillë, të bërë brenda dy-tri orëve”, ka deklaruar ai.
Deputeti i PDK-së ka theksuar se, në rast të një vendimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, do të ndiqen të gjitha rrugët juridike përmes ankesave dhe procedurave përkatëse.
“Sigurisht se në aspektin juridik gjithmonë do të apelojmë, si shtet dhe avokatët e bëjnë këtë punë”, është shprehur Lushtaku.
Megjithatë, ai ka kritikuar Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti, duke thënë se, sipas tij, nuk e ka shqetësimin e duhur për këtë çështje.
“Por shteti i Kosovës nën udhëheqjen e Albin Kurtit, për mendimin tim, nuk e ka këtë merak, nuk e ka këtë dert, edhe pse ai qet lot krokodilli”, ka deklaruar deputeti.
“Një vend ku t’i kapin armët”
Në vazhdim të intervistës, Lushtaku ka bërë një deklaratë të fortë, duke thënë se, në rast të një vendimi të pafavorshëm në Hagë, Kuvendi i Kosovës është dashur të shqyrtojë mundësinë që qytetarët të pajisen me leje për armatim.
“Parlamenti i Kosovës është dashtë me bë lejimin, ky është mendim personal i imi, ndoshta po e them edhe për shkak të emocioneve, ish dashtë me u leju çdo qytetar që të ketë leje për armatim, sepse me të vërtetë atëherë Kosova ka me qenë rrezik”, ka thënë Lushtaku.

