Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, gjatë rigjykimit ndaj Endrit Nikës, ka dëshmuar Erza Limani, ish-recepcioniste e hotelit “Sonoma”, e cila ka rrëfyer momentet e natës kritike kur Maria Clara kishte rënë nga dritarja e hotelit.
Limani ka deklaruar se natën e ngjarjes ishte në ndërrimin e natës, të cilin e kishte filluar në orën 23:00, ndërsa Endrit Nikën dhe vajzën i kishte parë duke hyrë në hotel pas mesnatës.
“I kam parë vetëm natën kritike, kur kanë ardhur në hotel. Pas një ose dy orësh ka ndodhur rasti. Kur kanë hyrë, i kam përshëndetur dhe kanë vazhduar në dhomë. Nuk kam vërejtur diçka në sjelljen e tyre që të dyshoja”, ka dëshmuar ajo.
Sipas dëshmitares, rreth orës 02:00 kishte dëgjuar një krismë të fuqishme, e cila e kishte shtyrë të dilte për të parë se çfarë kishte ndodhur.
“Kam dëgjuar një krismë të madhe që më ka bërë të dal. E kam parë një vajzë në tokë, me xhama përreth saj, kornizën e dritares dhe patika”, ka deklaruar Limani.
Ajo ka treguar se menjëherë kishte telefonuar Ramiz Nuhën, i cili ndodhej një kat më lart, ndërsa në momentin kur kishte shkuar pranë vajzës, ajo ishte ende gjallë.
“Kur kam shkuar te vajza, ajo ka qenë gjallë dhe ka kërkuar ujë. Kjo ka ndodhur para se të zbriste roja. Pastaj ka ardhur edhe Endriti. Unë e kisha një shishe ujë në dorë, por nuk ia kam dhënë vajzës. Ia kam dhënë Endritit, i cili ishte afër saj. Nuk e di nëse ia ka dhënë për të pirë apo ia ka lagur fytyrën”, ka rrëfyer dëshmitarja.
Një pjesë e rëndësishme e dëshmisë së saj ishte edhe biseda që kishte zhvilluar me Endrit Nikën pas ngjarjes.




