Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar momentet e vështira që familja e saj ka përjetuar gjatë viteve të ’90-ta.
Ajo ka treguar se babai i saj, Raif Osmani, ishte i pari në gjithë Mitrovicën që u dëbua nga puna nga forcat serbe.
“Babai im ka qenë i pari nga e gjithë Mitrovica që e kanë dëbuar nga puna, ngase ka kërkuar Kosovën Republikë zëshëm qysh në mars të vitit 1989, pastaj menjëherë pas tij edhe nëna”, ka deklaruar Osmani.
Ajo ka folur për maltretimet dhe burgosjen që regjimi i Millosheviqit ia bëri babait të saj.
Si pasojë e rrezikut në të cilin tregon se ndodhej babai i saj, e rrezikuar ishte edhe e gjithë familja.
“…sikurse edhe shumica e familjeve shqiptare në atë kohë jemi ballafaqu me situata tepër të rënda të mbijetesës. Babi ka qenë i burgosur, i maltretuar e i torturuar fizikisht nga regjimi i Millosheviqit. Vazhdimisht ka qenë në rrezik prej tyre dhe automatikisht në rrezik kemi qenë edhe ne”, ka deklaruar Osmani në Kiks Kosova.
Presidentja ka përmendur gjithashtu angazhimin e babait të saj me ish-presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova, në atë që ajo e quan “celulat e para të rezistencës”.
E pikërisht këto përvoja, sipas Osmanit, e kanë bërë që angazhimi i saj politik të jetë gjëja më e natyrshme për të.