Pas më shumë se dhjetë vjetësh ndërprerjeje, naftësjellësi Selanik–Shkup po kthehet sërish në funksion, pasi në vitin 2013 kompania greke “Hellenic Petroleum”, sot HELLENiQ Energy, e nxori jashtë përdorimit duke e konsideruar jofitimprurës.
Rinisja e transportit të derivateve të naftës drejt Maqedonisë së Veriut pritet të ndodhë deri në fund të vitit, tha kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski.
“Ne si shtet po i zbatojmë të gjitha hapat që ky naftësjellës, i cili për shumë vite ishte dëmtuar dhe konservuar, të vihet në funksion. Po vazhdojnë inspektimet, mendoj se tashmë kanë përfunduar, pritet të nisin provat e presionit. Në Qeveri ka kaluar edhe çmimorja, pres që këtë vit ky naftësjellës të vihet në funksion”, deklaroi Mickoski.
Ndërtimi i naftësjellësit ishte pjesë e marrëveshjes së vitit 1999 që qeveria e udhëhequr nga kryeministri i atëhershëm dhe udhëheqësi i VMRO-DPMNE-s, Lubço Georgievski, e nënshkroi me kompaninë greke “Hellenic Petroleum” për blerjen e rafinerisë së vetme të naftës në shtet, OKTA.
Tani ky sistem tubacionesh do të quhet produktsjellës, pasi nga Selaniku në Shkup do të transportojë vetëm derivate të përpunuara të naftës, ndërsa përmes naftësjellësit zakonisht transportohet naftë e papërpunuar nga portet ose fushat naftëmbajtëse drejtpërdrejt në rafineri, ku më pas përpunohet.
Gypat e naftësjellësit Selanik-Shkup janë të gjatë rreth 213 kilometra, me kapacitet për të transportuar 2.5 milionë tonë karburant në vit, nga terminalet e “Hellenic Petroleum” deri te rafineria OKTA në Shkup, ku karburanti disel do të depozitohet.
Sipas marrëveshjes mes Qeverisë maqedonase dhe kompanisë greke, transporti i karburatit do të kushtojë 20 euro për ton, konfirmuan për Radion Evropa e Lirë nga Komisioni Rregullativ për Energjetikë dhe Burime Ujore.
Nëse produktsjellësi punon me kapacitet të plotë prej 2.5 milionë tonësh në vit, vlera totale e shërbimit do të arrinte rreth 50 milionë euro në vit.
Të ardhurat do të ndahen mes Qeverisë së Maqedonisë, e cila përmes ndërmarrjes shtetërore “Naftovod” ka 20 për qind të aksioneve në kompaninë e përbashkët “Vardaks”, ku hisedari më i madh është “Hellenic Petroleum” me 80 për qind të aksioneve.
Me njoftimet e Qeverisë maqedonase se po i përfundon procedurat e fundit, përmes këtij tubacioni do të mund të qarkullojë karburanti sapo Ministria e Transportit të lëshojë “lejen për përdorim”.
Me këtë do të hyjë në fuqi edhe licenca që Komisioni Rregullativ për Energjetikë dhe Burime Ujore tashmë ia ka lëshuar “Vardaks”-it në vitin 2023, me vlefshmëri prej 35 vjetësh, përkatësisht deri në vitin 2058.
“Kur operatori ‘Vardaks’ ta marrë lejen e përdorimit nga shteti, kjo licencë do të hyjë në fuqi”, tha për REL-in kryetari i Komisionit Rregullativ për Energjetikë dhe Burime Ujore, Marko Bislimovski.
REL-i i është drejtuar Qeverisë maqedonase me pyetjen se cilat janë përfitimet e pritshme për sistemin energjetik dhe ekonomik të vendit nga ky tubacion, por deri në publikimin e këtij teksti, ekzekutivi në Shkup nuk është përgjigjur.
VMRO–Partia Popullore, e themeluar nga ish-kryeministri Georgievski pasi u largua nga VMRO-DPMNE-ja, pretendon se riaktivizimi aktual i naftësjellësit Selanik-Shkup ka për qëllim t’i ndihmojë Serbisë në krizën aktuale me naftë.
Nga kjo parti thonë se janë të habitur nga shpejtësia me të cilën po finalizohet procesi dhe pyesin pse ata, që prej vitesh kundërshtonin projektin, tani heshtin.
Partia e Lubço Georgievskit shtoi se argumentet për përfitimet nga naftësjellësi kanë qenë të vlefshme që para 25 vjetësh dhe akuzoi se vendi është lënë me vetëdije pa përfitime ekonomike dhe gjeostrategjike.
Kryeministri Hristijan Mickoski tha se roli i Qeverisë është të sigurojë infrastrukturën dhe rregulloren, por jo të hyjë në operacione biznesi.
