Një ditë pas takimit mes presidentit amerikan, Donald Trump dhe atij rus, Vladimir Putin, në një hotel në Alaskë, janë gjetur tetë faqe dokumente në një printer që raportohet të jenë harruar nga pala amerikane.
Siç raporton mediumi NPR, dokumentet përmbanin vendndodhjet e sakta dhe oraret e takimeve të samitit por edhe numrat e telefonit të punonjësve të qeverisë amerikane.
Dokumentet thuhet se u gjeten nga tre mysafirë të hotelit, teksa faqja e parë e dokumenteve përfshinte emrat specifikë të dhomave brenda bazës në Anchorage ku janë mbajtur takimet e po ashtu tregonte se Trumpi kishte ndërmend t’i jepte Putinit një dhuratë ceremoniale, “Statujë tavoline me shqiponjën amerikane”.
Faqet 2 deri në 5 të dokumenteve listonin emrat dhe numrat e telefonit të tre anëtarëve të stafit amerikan, si dhe emrat e 13 liderëve shtetërorë amerikanë dhe rusë. Lista përmbante udhëzime fonetike për shqiptimin e të gjithë burrave rusë që priteshin në samit, duke përfshirë “Zoti President POO-tihn”, shkruan NPR.