Partia Demokratike e Kosovës ka njoftuar tërheqjen e përkohshme të kandidaturës së Vlora Çitakut për pozitën e nënkryetares së Kuvendit të Kosovës, deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese lidhur me situatën e krijuar rreth konstituimit të Kuvendit.
Në një shkresë drejtuar kryetares së Kuvendit, të nënshkruar nga kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, thuhet se vendimi është marrë për shkak të shkeljeve të vazhdueshme dhe të përsëritura të detyrimeve kushtetuese për konstituimin e Kuvendit.
PDK i referohet nenit 66 të Kushtetutës dhe Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin KO 124/25, duke argumentuar se procesi i konstituimit duhej të përfundonte brenda afatit kushtetues.
Sipas Tahirit, PDK-ja kishte marrë pjesë në seancat e 9 dhe 11 shtatorit, pavarësisht skadimit të afatit kushtetues, me qëllim që të kontribuonte në përfundimin e procesit të konstituimit.
“Megjithatë, kjo gatishmëri nuk u shfrytëzua”, thuhet në shkresë, ku PDK thotë se janë krijuar pengesa të reja dhe janë përdorur çështje procedurale e politike për shtyrjen e procesit.
PDK ka bërë të ditur se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar “vlerësimin dhe sqarimin kushtetues të situatës së krijuar”.
Deri në vendimin e Gjykatës, PDK ka vendosur të mos marrë pjesë në vazhdimin e procesit dhe të pezullojë kandidaturën e Çitakut.






