Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit është duke e trajtuar Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Në fillim të shqyrtimit, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Doarsa Kica-Xhelili, ka kritikuar disa dispozita të Projektligjit për Byronë. Ajo ka përmendur mënyrën e zgjedhjes së drejtorit, specializimin e gjyqtarëve të shkallës së dytë, përvojën e anëtarëve dhe pragun për nisjen e verifikimit të pasurisë.
“Çështja e parë është çështja e drejtorit, përzgjedhjes së drejtorit të byrosë, dhe nuk ka ndryshuar mënyra e votimit të drejtorit. Drejtori vazhdon të zgjidhet me shumicën e thjeshtë të deputetëve që vetëm marrin pjesë në votim. Kjo nënkupton që me 61 deputetë prezent, do të mjaftojnë 31 vota që të zgjidhet drejtori i byrosë. Çështja e dytë është që, pavarësisht që kërkohet specializimi i gjyqtarëve të shkallës së parë, shkalla e dytë, pra e apelit që duhet të vërtetojë bazueshmërinë ose jo të kërkesës së shkallës së parë, nuk kërkohet specializimi edhe i atyre. Pra, shkalla e dytë, e cila duhet ta rrëzojë ose jo vendimin e shkallës së parë, për të njëjtën nuk kërkohet specializimi për çështjen e byrosë, sikurse kërkohet për gjyqtarët e shkallës së parë. Çështja tjetër është që ne insistuam që përvoja e punës së personave që do të zgjidhen anëtarë të byrosë të jetë së paku 7 vite pune profesionale. Ministria tha që do ta shqyrtonte dhe të mërkurën u dakorduam që do të ishte 7, por sot në anën tjetër na u tha që mendojmë ta rikthejmë në 5 vite. Unë sot nuk i kam përfaqësuesit e ministrisë, por do të ishte skandaloze që të konsiderohej që është shumë përvojë pune profesionale 5 vite për anëtarë të byrosë”, ka deklaruar Kica – Xhelili duke e adresuar edhe lartësine e pragut për inicimin e verifikimit.
“Tjetra çështje që u adresua dhe nuk u pranua të mërkurën, megjithëse ministria sërish mbeti që javën tjetër të na sillte ndryshimet, por megjithatë takimi u caktua sot. Kishte të bënte me lartësinë e pragut për inicimin e verifikimit. Pragu vazhdon me mbete 25 mijë euro, ndërkaq, po flasim për verifikimin e pasurisë së 18 viteve të kaluara, që nënkupton që në të ardhmen ky numër do të rritet. Pra, nga viti 2008 e tutje”, tha ajo.
Ndërkaq, kryetari i Komisionit, Vigan Qorrolli, ka deklaruar se gjatë shqyrtimit të projektligjit janë trajtuar vërejtjet dhe propozimet e deputetëve, Gjykatës Supreme dhe shoqërisë civile.
“E para, punës është që ky kusht i domosdoshëm është afati mes dy leximeve që është i përmbushur dhe është 15-ditëshi për të cilin e ka kaluar, dhe ne kemi ftuar vijimësisht dhe me një lloj kolegialiteti. Planifikimi ka qenë për ditën e mërkurë që të kryhet i gjithë drafti, dhe në këtë rast edhe grupi punues ta përfundojë punën në ditën e parë. Nuk kemi arritur deri në përfundim të orarit të punës, dhe e kemi planifikuar që sot ta vazhdojmë pjesën e mbetur. Kemi kryer edhe pjesën e parë të paradites, dhe besoj që vërejtjet cilat janë dhënë janë të gjitha të adresuara. Një pjesë e tyre, qoftë nga propozuesi në këtë rast i amandamenteve, deputeti i Partisë Demokratike, por edhe përfaqësuesit e Gjykatës Supreme, në këtë rast edhe përfaqësuesit e shoqërisë civile, janë trajtuar një për një dhe presje për presje. Dhe ky është serioziteti më i madh i mundshëm që janë trajtuar. Nuk janë neglizhuar asnjë koment, nuk janë neglizhuar asnjë vërejtje, asnjë sugjerim, dhe asnjë amandament”, tha Qorrolli.
Sipas tij, të dhënat e përdorura në procedurën e konfiskimit civil nuk mund të përdoren në procedurën penale, ndërsa organet kompetente mund të nisin hetime të pavarura sipas detyrës zyrtare.

