Shqipëria shënon përmirësim të ndjeshëm në rezultatet e testit ndërkombëtar PISA 2025 për nxënësit 15-vjeçarë krahasuar me vitin 2022. Sipas të dhënave të publikuara nga OECD, Shqipëria ka marrë 433 pikë në matematikë, 435 në shkencë dhe 408 në lexim.
Sipas rezultateve të publikuara në Konferencën e Bratislavës, Shqipëria renditet në vendin e parë në rajon në Shkencë, duke lënë pas Serbinë, Greqinë, Malin i Zi, Bullgarinë, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën, ndërsa udhëheq klasifikimin në Matematikë së bashku me Malin e Zi, raporton “Shqiptarja”.
Megjithatë, rezultatet tregojnë se Shqipëria vijon të ketë një hendek të konsiderueshëm me mesataren e vendeve të OECD-së. Mesatarja e OECD-së është 463 pikë në matematikë, 482 në shkencë dhe 461 në lexim.
Diferenca është veçanërisht e dukshme kur shihet përqindja e nxënësve që arrijnë të paktën nivelin bazë të aftësive, Nivelin 2.
Në shkencë këtë nivel e arrijnë rreth 61% e nxënësve shqiptarë, kundrejt 74% në OECD. Në matematikë janë 55%, ndërsa mesatarja e OECD-së është 65%. Në lexim, vetëm gjysma e nxënësve shqiptarë 15-vjeçarë, rreth 50%, arrijnë Nivelin 2, krahasuar me 69% në OECD. Pra 1 në 2 nxënës, që tashmë kanë mbaruar sistemin e detyruar arsimor me klasën e nëntë, nuk kupton atë që lexojnë.




