Një 43-vjeçar nga Kosova është plagosur me thikë të shtunën në mbrëmje në Vjenë, pas një përleshjeje me një 30-vjeçar shtetas afgan.Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:00 në Sechshauser Gürtel, në distriktin Rudolfsheim-Fünfhaus. Sipas Policisë së Vjenës, mes dy burrave fillimisht kishte shpërthyer një mosmarrëveshje, e cila më pas ishte përshkallëzuar.
Gjatë përleshjes, 30-vjeçari dyshohet se e ka sulmuar kosovarin me thikë. 43-vjeçari ka pësuar një plagë në pjesën e sipërme të krahut të majtë, si dhe disa prerje në krahë dhe në gjoks.Policët që ndodheshin rastësisht në patrullë pranë vendit të ngjarjes kanë dëgjuar britmat dhe kanë ndërhyrë menjëherë, duke i ndarë dy burrat. Në vend është sekuestruar edhe një thikë xhepi, e cila dyshohet se është përdorur gjatë incidentit, raportojnë mediat austriake.
