Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama po qëndron në Cernobbio të Italisë, ku ka marrë pjesë në forumin “Intelligence on the World, Europe and Italy”, në panelin “Agjenda për Evropën”.
Diskutimi u përqendrua te roli i Mesdheut, si dhe sfidat e reja me të cilat përballet Evropa dhe bota.
Gjatë fjalës së tij, Rama u ndal te nevoja që Evropa të forcojë autonominë e saj në sektorët strategjikë, veçanërisht sa i përket lëndëve të para kritike. Sipas tij, përfshirja e Ballkanit Perëndimor në këtë proces mund të ndryshojë ndjeshëm situatën.
“Evropa nuk arrin autonominë e vet në lëndët e para kritike brenda kufijve të vet dhe në kuadrin kohor. Nëse Ballkani Perëndimor nuk do të përfshihet për të na futur brenda, situata mund të ndryshojë”, u shpreh Rama, raporton TopChannel.
Kryeministri shqiptar përmendi edhe potencialin e Shqipërisë për sa i përket burimeve natyrore, duke theksuar rezervat e bakrit dhe duke bërë thirrje për më shumë investime evropiane në vend.
“Shqipëria ka një rezervë të madhe bakri dhe po zbrazim Kinën që Evropa të vijë”, tha Rama, duke shtuar me humor se shqiptarët janë “talebanët perëndimorë”, pasi vendi nuk ka marrëdhënie me Rusinë.



