Policia e Kosovës, në kuadër të bashkëpunimit me qytetarët dhe institucionet e ndryshme, ka njoftuar se së fundi ka trajtuar disa raste ku janë shfaqur postime në internet nga fëmijët për vetëlëndim me pasoja të rënda shëndetësore, por edhe postime që kanë të bëjnë me vetëvrasjen.
Falë edhe bashkëpunimit me qytetarë dhe institucionet relevante, Policia e Kosovës thotë se ka arritur të identifikojë fëmijët e rrezikuar dhe të sigurojë prezencën e tyre. Janë njoftuar prindërit dhe mekanizmat tjerë përgjegjës për trajtim të duhur të rasteve.
Policia e Kosovës falënderon qytetarët dhe institucionet e ndryshme për bashkëpunimin dhe kontributin për të krijuar një ambient sa më sigurt në internet, me theks të veçantë për fëmijët.
Njëkohësisht, me qëllim që të parandalohen rreziqet në internet që iu shfaqen fëmijëve, Policia e Kosovës iu bën thirrje të gjithë qytetarëve, posaçërisht prindërve, që të kujdesen për fëmijët e tyre se çfarë bëjnë dhe postojnë në internet.
Këshilla dhe kërkesë për prindërit dhe fëmijët për përdorim të drejtë dhe të sigurt të internetit:
-prindër, flisni kohë pas kohe me fëmijët tuaj për rreziqet në internet, monitoroni se çfarë aktivitetesh bëjnë në internet, sepse kjo mund të parandalojë një të keqe, qoftë ndaj fëmijës suaj apo fëmijëve tjerë;
-kujdesuni se çfarë foto, video apo materiale tjera posedojnë fëmijët tuaj në telefonat dhe pajisjet e tjera kompjuterike;
-sigurohuni që fëmijët tuaj nuk janë duke luajtur ndonjë lojë të rrezikshme;