Presidentja e Republikës së Kosovës mbajti sot fjalim në shënimin e 50-vjetorit të themelimit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (AShAK), duke e cilësuar këtë institucion si qendrën ku u formësua mendimi politik, kulturor dhe shtetformues i vendit.
Në këtë ceremoni solemne morën pjesë presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, presidenti i parë i Kosovës, Fatmir Sejdiu, drejtues të akademive shqiptare dhe përfaqësues të institucioneve vendore e ndërkombëtare.
Presidentja vlerësoi kontributin pesëdekadësh të akademikëve, të cilët, sipas saj, edhe në rrethana tejet të vështira, kanë punuar për mbrojtjen e gjuhës, kulturës dhe interesit kombëtar, duke lidhur Kosovën me qendrat botërore të dijes.
Ajo kujtoi me mirënjohje figurat e shquara të Akademisë, si kryetarin e parë Esad Mekuli, akademikun Gazmend Zajmi – hartues i Kushtetutës së Kaçanikut dhe Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990 – si dhe presidentin historik Dr. Ibrahim Rugova, anëtar korrespondent i Akademisë që nga viti 1996.
Presidentja theksoi se “nuk mund të ketë shtet të fortë pa shkencë të fortë”, duke shtuar se Akademia është ndër institucionet që i japin shtetit substancën e dijes, mendimit kritik dhe vizionit për të ardhmen.
