Në procesin gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, po i afrohet fundi fazës së Prokurorisë. Radhën e ka mbrojtja, e cila pritet të paraqesë dëshmitarët dhe provat në fund të gushtit. Avokatët kërkojnë që të dëgjohen dëshmitarë me njohuri të drejtpërdrejtë dhe të dokumentohen të dhëna që, sipas tyre, tregojnë manipulime nga Serbia.
Procesi gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së po hyn në fazën vendimtare. Por, sipas avokatit Skënder Musa, akuzat kryesore nuk mund të rrëzohen pa u dëshmuar dëshmitarët e mbrojtjes dhe pa u shqyrtuar provat që ajo do të paraqes. Ai thotë se nuk mund të pritet drejtësi e plotë ne aspektin jurid- formal , duke pasur parasysh që, sipas tij, kjo gjykatë është themeluar me kërkesë të Serbisë.
“Numri i dëshmitarëve të mbrojtjes do të jetë dukshëm më i kufizuar sesa ai i Prokurorisë, pasi kjo e fundit nuk ka bërë asnjë selektim real të dëshmitarëve. Kemi parë dëshmitarë që nuk kanë pasur as idenë pse janë ftuar të dëshmojnë. Ne që e kemi njohur situatën gjatë dhe pas luftës, kemi parë disa prej tyre të deklaruar publikisht si dëshmitarë të rrejshëm. Megjithatë, nuk besoj se ndonjëri prej tyre ka dëshmuar për krime lufte apo kundër njerëzimit – si trajtim çnjerëzor – sepse këto nuk kanë ndodhur, as gjatë luftës dhe as pas saj”, tha Musa.
Musa shton se Serbia kishte paraqitur si civilë edhe pjesëtarë të forcave të saj të armatosura.