Profesori irlandez, Aidan Hehir ka komentuar zhvillimet rreth Dhomave të Specializuara dhe proceset gjyqësore ndaj krerëve të UÇK-së.
Duke analizuar themelimin dhe funksionimin e këtij institucioni, Hehir në intervistë për Vox Kosova e ka cilësuar atë si një gjykatë thellësisht politike, e cila sipas tij nuk mund të ndahet nga konteksti politik që e solli në jetë.
Sipas profesorit Hehir, vendimi i gjykatës ishte i paracaktuar për shkak të investimit të madh institucional në mbështetje të një narrative të caktuar: “Kjo gjykatë nuk do të ishte krijuar po të mos kishin ekzistuar interesa politike që donin të mbështesnin një narrativë të caktuar për luftën”, duke shtuar se shpallja e pafajsisë për të akuzuarit ka qenë e pamundur nga një pikëpamje thjesht politike.
Duke iu referuar pasojave të këtij procesi në rrafshin ndërkombëtar, Hehir vuri në dukje se opinioni i gjerë në Evropë dhe botë e ka të vështirë të bëjë dallimin mes individëve dhe luftës çlirimtare në tërësi: “Njerëzit e zakonshëm në Evropë dhe në botë nuk do t’i ndajnë individët nga komuniteti më i gjerë prej nga vijnë… ata thjesht do ta shohin UÇK-në si një ndërmarrje të përbashkët kriminale, siç thuhet në dokumentet e vetë gjykatës”.
Lidhur me karakterin organizativ të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hehir theksoi se ajo nuk ka qenë një ushtri e centralizuar me një strukturë të ngurtë hierarkike të krahasueshme me forcat e rregullta shtetërore, por një organizatë e përbërë kryesisht nga njësi relativisht autonome në rajone të ndryshme të Kosovës. Për këtë arsye, ai vlerëson se përdorimi i konceptit të “ndërmarrjes së përbashkët kriminale” shërben për t’i dhënë përmasa të ekzagjeruara dhe të shtrembëruara strukturës dhe qëllimeve të organizatës gjatë luftës.




