Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti i Krimeve të Rënda, njofton opinionin publik se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prizren, caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh, ndaj të pandehurit V.H., për kryerjen e veprave penale “Fajdeja” nga neni 331, “Detyrimi” nga neni 328 si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 të KPRK-së, dhe për te pandehurin tjetër D.E., për shkak të veprës penale “Fajdeja” në ndihmë nga neni 331 lidhur me nenin 33 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Sipas dyshimeve të bazuara që rezultojnë nga hetimet e zhvilluara, i pandehuri V.H., gjatë periudhës nga viti 2025 deri më 29 shtator 2026, në Prizren, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare dhe personale të të dëmtuarit, dyshohet se i ka dhënë shuma të ndryshme parash me kamata mujore në përqindje të larta, duke përfituar shuma dukshëm joproporcionale në raport me paratë e dhëna.
Sipas hetimeve, i dëmtuari ka marrë të holla me kamatë mujore prej 20%. Nga hetimet rezulton se vetëm në emër të kamatave dhe kamatëvonesave, pa llogaritur borxhin bazë, i dëmtuari ka paguar shuma të konsiderueshme, dhe atë shumën në total prej 56,200 euro.
Në kuadër të veprimeve hetimore, më 29 shtator 2026, pas takimit të të pandehurve me të dëmtuarin në një lokal në fshatin Krushë e Madhe, të njëjtit kanë hyrë në një automjet, ku i dëmtuari i ka dorëzuar të pandehurit shumën prej 15,000 euro, në emër të kamatave. Në atë moment kanë ndërhyrë zyrtarët policorë dhe dy të pandehurit janë arrestuar në flagrancë.




